Lajme

Shënohet vdekja e parë – lidhur me variantin Omicron – në Indi


Ministria e Shëndetësisë në Indi ka raportuar se, në shtetin perëndimor të Rajasthan-it të mërkurën e 5 janarit, është regjistruar vdekja e parë shkaktuar nga varianti Omicron.

Bëhet fjalë për një burrë 74-vjeçar, i cili sipas zyrtarëve vuante nga diabeti dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Deri më tani, India ka raportuar 2 mijë e 630 raste të Omicron-it.

Të enjten, janë regjistruar më shumë se 90 mijë raste infektimi, të cilat janë nxitur nga varianti i ri, Omicron.

Sipas ekspertëve, në 24 orët e fundit, India regjistroi 325 vdekje, por vetëm një ka qenë e lidhur me Omicron.

“Teknikisht kjo është një vdekje e lidhur me Omicron. Ai ishte një person i moshuar, që vuante nga diabeti dhe sëmundje shoqëruese”, tha sekretari i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë, Lav Agarwal, në konferencën e përditshme për shtyp.

Gazeta “The Indian Express” raportoi se pacienti u shtrua në një spital në qytetin Udaipur, në shtetin Rajasthan më 15 dhjetor, dhe vdiq 15 ditë më vonë. Mjekët thanë se burri ishte plotësisht i vaksinuar.

Gjatë konferencës të së mërkurës, shefi i Këshillit Indian të Kërkimeve Mjekësore (ICMR), Balram Bhargava, tha se varianti Omicron është “shtresa mbizotëruese qarkulluese në qytete dhe të gjitha grumbullimet masive duhet të shmangen”.

Agarwal tha se shtetet e Maharashtra-s, Bengali Perëndimor, Delhi, Kerala, Tamil Nadu, Karnataka dhe Jharkhand janë “disa nga shtetet më shqetësuese”, me një rritje të rasteve javore dhe normave të pozitivitetit.

India deri më tani ka regjistruar më shumë se 35 milionë raste COVID-19 dhe rreth 482 mijë vdekje nga virusi.

Një valë e dytë katastrofike në prill dhe maj 2021 pa rritje të infeksioneve dhe vdekjeve, teksa në spitale nuk kishte më shtretër, oksigjen dhe ilaçe.

Në përmbyllje, ekspertët dhe mjekët kanë deklaruar se, pavarësisht asaj që tregojnë të dhënat paraprake se “të infektuarit me Omicron kanë më pak gjasa të shtrohen në spital krahasuar me variantet e mëparshme”, një rritje e numrit të infektimeve mund të çrregullojë shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Veçanërisht, në këtë moment, pasi India po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat shpesh shoqërohen me mitingje masive.

Disa shtete, duke përfshirë Delhi-n dhe Maharashtra-n, kanë rifutur kufizime dhe shtetrrethime të përkohshme, për të kufizuar grumbullimet dhe ndaluar përhapjen e virusit.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore