Lajme

Shefja e UNMIK-ut: Veprimet e Kosovës nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve


Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe udhëheqësja e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, tha se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në pjesën veriore të vendit, nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve, pavarësisht “arsyetimeve të kufizuara” të ligjshmërisë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është duke u diskutuar për situatën në Kosovë pas kërkesës së Serbisë, ajo akuzoi autoritetet kosovare se pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, nxiti tensionet në pjesën veriore të vendit, duke bërë thirrje që të vazhdojë dialogu i normalizimit.

Në raport ajo ka përmendur marrëveshjet e arritura vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veroit, ndërsa shtoi se megjithatë u evidentua një ngecje e progresit në marrëveshjen për sekuencimin e marrëveshjeve.

Ambasadori i Serbisë në OKB dorëzoi të hënën një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për “krizën e dinarit” dhe “situatën e përgjithshme” në Kosovë që, sipas pretendimeve të Serbisë, është në “kontrast të madh” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit së cilës i referohet Serbia në diskutimet për Kosovën.

Kjo seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë është thirrur pas kërkesës së Serbisë, veçanërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin dhe qarkullimin e dinarin serb dhe mbylljes së disa komunave paralele serbe nëpërmjet disa aksioneve policore në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore