Lajme

Shefja e UNMIK-ut kërkon nga Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog


Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Sepciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka kërkuar nga zyrtarët institucionalë në Serbi të tregojnë përmbajtje në “mesazhe dhe veprime” gjatë konsultimeve të rregullta në Beograd, derisa ka bërë thirrje që të dyja palët t’i kthehen dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Gjatë takimeve të saj, siç thuhet në komunikatën e UNMIK-ut, ajo ka nënvizuar urgjencën për de-përshkallëzimin e situatës duke theksuar edhe nevojën që Kosova dhe Serbia t’i kthehen procesit të dialogut. Ziadeh gjithashtu ka bërë thirrje për “transparencë në hetime dhe llogaridhënie” në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Ziadeh ka zhvilluar takime me lidershipin politik të Serbisë dhe përfaqësuesit e korpusit diplomatik në Beograd para takimit të ardhshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa siç është bërë me dije nga UNMIK-u, shefja e misionit të OKB-së do ta dorëzojë raportin e saj në Këshillin e Sigurimit në fund të muajit tetor.

Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të kontribuojnë në ruajtjen e atmosferës për normalizimin e marrëdhënieve dhe rikithimin në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore