Lajme

Shefi i kompanisë Pfizer nderohet me çmimin “Nobeli Hebre”


Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë farmaceutike Pfizer, Albert Bourla, të mërkurën e 19 janarit u nderua me çmimin prestigjioz “Genesis”, për përpjekjet e tij në udhëheqjen e prodhimit të një vaksine COVID-19.

Ky çmim njihet ndryshe si “Nobeli Hebre”.

Shuma prej 1 milion dollarësh i jepet çdo vit një personi për arritjet e tij profesionale, kontributet për njerëzimin dhe përkushtimin ndaj vlerave hebraike.

Në një deklaratë, Bourla tha se e pranonte çmimin “me përulësi dhe në emër të të gjithë kolegëve të mi që iu përgjigjën thirrjes urgjente gjatë pandemisë”.

Fondacioni Genesis Prize, nga ana tjetër, u shpreh se Bourla kishte marrë numrin më të madh të votave në një fushatë online, në të cilën morën pjesë rreth 200 mijë njerëz në 71 shtete.

Kush është Bourla?

Bourla është me origjinë greke. Prindërit e tij ishin ndër të paktët të mbijetuar nga komuniteti hebre i Selanikut.

Ai është shprehur se do ta dhurojë çmimin për projekte, që synojnë ruajtjen e kujtimit të viktimave të Holokaustit, veçanërisht në Greqi.

“Unë u rrita në një familje hebre që besonte se secili prej nesh është po aq i fortë sa lidhjet e komunitetit tonë. Ne të gjithë jemi thirrur nga Zoti për të rimëkëmbur botën”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë farmaceutike Pfizer, Albert Bourla
Vaksina e Pfizer-it

Vaksina e Pfizer-it ishte e para që fitoi miratimin e SHBA, për përdorim urgjent në dhjetor 2020.

Izraeli ishte një nga vendet e para që vaksinoi popullsinë e tij me Pfizer.

Çmimi drejtohet në një partneritet midis fondacionit privat Genesis Prize dhe zyrës së kryetarit të Agjencisë Hebraike, një grup jofitimprurës që ka lidhje të ngushta me qeverinë izraelite.

Zakonisht jepet në Jerusalem çdo qershor, në një mbrëmje, ku i pranishëm është edhe kryeministri i Izraelit.

Dy vitet e fundit, ceremonia është anuluar për shkak të pandemisë.

Bourla në një deklaratë ka thënë se shpreson të udhëtojë në Jerusalem këtë verë për të tërhequr çmimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore