Lajme

SHBA-të të shqetësuara mbi rreziqet e reja për trupat amerikane në Lindjen e Mesme


Pentagoni është i shqetësuar për potencialin për sulme të reja ndaj trupave amerikane të stacionuara në Lindjen e Mesme nga Irani dhe forcat e tij përfaqësuese.

Kjo, teksa konflikti midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit përshkallëzohet në një rajon tashmë të trazuar.

Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes janë veçanërisht të shqetësuar se grupet përfaqësuese iraniane në Irak dhe Siri, ose forcat iraniane në Gjirin Persik, mund të përfitojnë nga paqëndrueshmëria në rajon për të sulmuar forcat amerikane ose partnere që veprojnë në ato dy vende.

“Kjo paraqet një mundësi,” tha një nga zyrtarët, i cili si të tjerët të intervistuar për këtë histori, iu dha anonimiteti për të diskutuar çështje të ndjeshme të operacioneve.

Forcat ushtarake të SHBA-ve në Lindjen e Mesme janë “të vetëdijshme për aktorët keqdashës që mund të kërkojnë të përfitojnë nga konfliktet dhe paqëndrueshmëria në rajon”, ka thënë Majori Geoffrey Carmichael, zëdhënësi i operacionit ushtarak amerikan për të luftuar ISIS-in në Siri dhe Irak.

“Nuk do të lejojmë aktorë të këqij të na tërheqin në angazhime që ia prishin misionin tonë”, ka theksuar Carmichael.

“Mos bëni gabim, ne rezervojmë të drejtën tonë të natyrshme për vetëmbrojtje sa herë që përballemi me kërcënime që i vënë forcat tona në rrugën e dëmtimit”, ka shtuar ai.

Ushtria amerikane ka stacionuar afërsisht 900 trupa në Siri që nga administrata e ish-presidentit Donald Trump, e fokusuar në luftën kundër terroristëve të ISIS me Forcat Demokratike Siriane, që janë milicia kurde siriane.

Teksa SHBA-të përmbyllën misionin luftarak në Irak në vitin 2021, rreth 2 mijë e 500 trupa amerikane mbeten në vend duke këshilluar ushtrinë irakiane.

Grupet përfaqësuese iraniane kanë sulmuar periodikisht trupat amerikane në të dy vendet gjatë viteve, duke përfshirë edhe në mars.

Potenciali për përshkallëzim është veçanërisht i lartë pasi Izraeli po peshon nisjen e një pushtimi tokësor të Gazës, përveç sulmeve ajrore në enklavën palestineze.

Sakaq, administrata e presidentit Joe Biden ka dënuar ashpër sulmet dhe ka thënë se do të dërgojë ndihmë shtesë për Izraelin.

“Brutaliteti i Hamasit sjell në mendje më të keqen – tërbimet më të këqija të ISIS-it”, ka thënë Biden.

“Ky është terrorizëm”, ka ravijëzuar ai.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka urdhëruar sakaq vendosjen e një grupi sulmues aeroplanmbajtës në Mesdheun lindor dhe avionë shtesë luftarakë në Lindjen e Mesme në përgjigje të sulmit ndaj Izraelit.

Po ashtu po peshon dërgimin e një aeroplanmbajtëse të dytë në zonë.

Këto forca mund të përdoren për t’iu përgjigjur çdo sulmi iranian apo sulmi ndaj trupave amerikane.

Muajt e fundit, grupet përfaqësuese iraniane kanë pushuar sulmet ndaj trupave amerikane në rajon.

Megjithatë, ato forca janë tashmë në gatishmëri të shtuar ndërsa lundrojnë në një konflikt tjetër – sulmet ajrore turke ndaj Forcave Demokratike Siriane.

Grupi përbëhet nga anëtarë të milicisë kurde siriane që bashkëpunojnë me forcat amerikane në luftën kundër ISIS-it dhe që Turqia i sheh si terroristë.

Të premten, një avion luftarak i SHBA-ve F-16 rrëzoi një dron turk pasi ai u afrua gjysmë kilometri nga pozicionet e SHBA-ve në Sirinë verilindore, duke paraqitur një kërcënim për trupat në terren.

Javët e fundit, Turqia ka nisur një fushatë ajrore kundër kurdëve në Siri dhe Irak në përgjigje të një sulmi terrorist në Ankara nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

Sipas një zyrtari, teksa Turqia nuk ka dhënë garanci se do të qëndrojë larg forcave amerikane në Siri, deri më tani sulmet shtesë nuk i janë afruar trupave amerikane.

Angazhimi i nivelit të lartë, sipas tij, ka çuar në “një kuptim më të mirë të nevojës për të mos u konfliktuar dhe për të mos rënë në kontakt”.

Nuk ka pasur ende vendime për të shtuar apo hequr trupat amerikane nga Siria, por në optikën e tij rrëzimi i dronit ka të ngjarë të nxisë këto lloj diskutimesh.

Sulmet ajrore turke kanë krijuar “kaos” në Sirinë verilindore, duke i dhënë ISIS-it mundësinë për të nisur sulme të reja terroriste, ka thënë gjenerali Mazloum Abdi, komandanti i SDF-së.

Gjithashtu ISIS përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për patrullimet e përbashkëta të kryera nga SHBA dhe SDF në rajon.

“Këto sulme pengojnë përpjekjet kundër terrorizmit dhe kërcënimet rajonale të sigurisë, duke kërkuar dënimin ndërkombëtar dhe një veprim të menjëhershëm për t’iu kundërvënë atyre”, ka treguar Mazloum.

Marrë nga “Politico”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore