Lajme

SHBA-të të papërgatitura për rritjen e rasteve me COVID


Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në situatë jo të mirë financiare lidhur me pagesat për vaksinat, testet dhe trajtimet kundër COVID-it.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se SHBA-të, në këtë situatë, nuk do të jenë të përgatitura për çdo rritje të rasteve në të ardhmen.

Prandaj dhe zyrtarët janë vënë në lëvizje për të nisur zvogëlimin e disa blerjeve të planifikuara nga qeveria federale brenda disa ditësh.

Kjo pasi Kongresi ka refuzuar një paketë prej 15 miliardë dollarësh për të rritur shpenzimet e qeverisë për pandeminë.

Sakaq, paralajmërimi vjen pasi nivelet e infektimit janë në rritje në të gjithë Evropën, me shumë ekspertë që paralajmërojnë se një valë e ngjashme ka të ngjarë të fillojë së shpejti në SHBA.

“Për muaj të tërë, ia kemi bërë të qartë Kongresit në baza dypartiake se fondet për testet, trajtimet dhe vaksinat po mbaronin dhe se do të nevojiteshin fonde shtesë”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës.

Kurse një tjetër ka thënë se “dështimi për të investuar do të na linte më pak të përgatitur për çdo rritje të mundshme në të ardhmen”.

Dhe se “sigurimi i fondeve vetëm kur rastet rriten do të ishte shumë vonë për të bërë një ndryshim”.

Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kongresit 22.5 miliardë dollarë fonde shtesë për COVID-in për të blerë më shumë teste, trajtime dhe për të financuar kërkime të mëtejshme për vaksinat.

Por udhëheqësit e Kongresit ranë dakord për një paketë të reduktuar prej 15 miliardë dollarësh. Por ato u hoqën nga paketa në minutën e fundit.

Refuzimi ka ardhur në momentin më të keq të mundshëm.

Paçka se rastet në SHBA kanë rënë në nivele që nuk janë parë që nga vera e kaluar, ka shenja se vendi mund të jetë gati të pësojë një valë tjetër.

Një nënvariant i Omicron-it i njohur si BA.2 po shkakton rritje të rasteve në Evropë.

Për të adresuar kërcënimin e një vale të re, Pfizer ka thënë se kishte aplikuar në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-ve për autorizimin e një doze përforcuese të vaksinës për njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.

 

Marrë nga “Financial Times” dhe përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore