Shqipëria

SHBA-të kërkojnë zgjedhje me standarde dhe brenda rekomandimeve të ODIHR-it


Ambasada amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurohen se aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Lajmi u bë i ditur nga diplomacia amerikane, duke cituar statusin e tyre në median sociale “Twitter”.

“Pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, raporti i ODIHR-it përshkruan fushat ku është bërë përparim i vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Në veçanti, pati raportime të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë, partive dhe institucioneve shtetërore që të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it”, shkruan ambasada.

Sipas njoftimit, partitë politike duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente.

“Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare”, shtoi diplomacia amerikane.

Në përmbyllje ambasada ravijëzoi mbështetjen ndaj kërkesës së popullit shqiptar për një demokraci të fortë.

“Ne nxisim të gjithë drejtuesit dhe institucionet që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe të sigurojnë që Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj demokratike”.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u takua më 8 mars me drejtues të partive politike në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadorja Kim u takua sot me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare”, nënvizonte fillimisht ambasada.

Sipas njoftimit zyrtar, Kim iu kujtoi drejtuesve politikë vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it.

Për shembull, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, rekomandimet e ODIHR përfshinin si më poshtë se “shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi”.

Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet, theksoi asokohe ODIHR.

Ndër të tjera, agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës.

Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.

Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Në përmbyllje, vëren deklarata – legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore