Lajme

SHBA-të do të pranojnë deri në 100 mijë refugjatë ukrainas


Shtetet e Bashkuara planifikojnë të pranojnë deri në 100 mijë ukrainas që ikin nga pushtimi rus. Kështu i kanë thënë agjencisë së lajmeve ndërkombëtare “Reuters” dy burime të njohura me njoftimin e ardhshëm.

Kjo pritet të njoftohet pasi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, të mbarojë takimet me liderët evropianë të enjten për të koordinuar përgjigjen e vendeve perëndimore ndaj sulmit të Moskës kundrejt Ukrainës.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si do të funksiononte përpjekja, përfshirë udhëtimin dhe logjistikën e imigracionit.

Jo të gjithë ukrainasit e pranuar do të shkojnë përmes programit të refugjatëve të SHBA-ve, tha një zyrtar i administratës së Biden-it, ndërsa të tjerët do të vijnë me viza familjare ose një proces tjetër të njohur si lirimi me kusht humanitar.

Më shumë se 3.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, që kur Rusia pushtoi vendin më 24 shkurt, sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, kriza më e shpejtë e refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Kujtojmë që kjo është dita e 27-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore