Shqipëria

SHBA-të dhurojnë pajisje për doganën e Kakavijës


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të mërkurën e 21 korrikut, nën delegimin e ambasadores Yuri Kim, kanë dhuruar disa pajisje për doganën e Kakavijës.

Kjo, me qëllim nxitjen e agjencive ligjzbatuese që të punojnë bashkë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm.

Këto pajisje, të dhuruara nga qeveria amerikane, ishin në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit.

“Kufijtë e sigurisë nuk janë të rëndësishëm vetëm për Shqipërinë apo shtetet fqinje si Greqia, por dhe për sigurinë globale”, tha ambasadorja Kim gjatë fjalës së mbajtur.

Ndërsa shtoi se angazhimi i SHBA-ve për forcimin e ligjit në Shqipëri është “i palëkundur”.

Theksi, po ashtu, u vendos dhe mbi sigurinë kufitare dhe atë globalen, si dhe te bashkëpunimi i ngushtë mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Greqinë për të përforcuar sigurinë e kufijve.

“Mbrojtja e kufijve nga qarkullimi i drogës dhe kontrabandës së njerëzve është i rëndësishëm për sigurinë. Pajisjet që kemi dhuruar, kanë shërbyer në funksion të sigurisë”, ka theksuar Kim.

Në pikën kufitare Kakavijë, Kim u mirëprit nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Sophia Philippidou.

Ndërsa Çuçi e vuri theksin tek investimet “në rritje” të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, “me përkrahjen e partnerëve tanë si qeveria e SHBA-ve dhe e BE-së”.

“Shqipëria është një vend shumë herë më i sigurt se vite më parë, cilësia e shërbimeve në pikat e kalimit kufitar është në nivel shërbimi shumë më të lartë dhe ndaj Shqipëria renditet në vendet me ruajtjen me të lartë të kufijve dhe cilësi shërbimi të lartë”, ka thënë ministri Çuçi.

Po ashtu, përmes një postimi në median sociale Twitter, Amabasada amerikane zotohet që do të vazhdojë të kontribuojë në pajisje të nevojshme për doganën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore