Bota

SHBA/Senati amerikan rifillon punë pas protestave


Dhoma e Senatit në SHBA, është rikthyer në punë pasi u evakua për shkak të bastisjes së Capitol-it nga protestuesit pro-Trump.

Në fjalën hapëse, zëvendëspresidenti, Mike Pence, tha se “ata që shkatërruan Capitol-in, nuk fituan”.

“Mbrojtëm institucionin tonë sot. Do t’i jemi mirënjohës burrave dhe grave që mbajtën pozicionet e tyre në mbrojtje të këtij vendi historik”, deklaroi Pence. Ai shtoi se “liria fiton gjithnjë” dhe se “kjo mbetet sërish shtëpia e popullit”.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, u shpreh se “ata donin të prishnin demokracinë, por dështuan”.

“Nuk do të përulemi përpara keqbërësve. Jemi në krye të detyrës dhe do të zbatojmë kushtetutën me çdo kusht”, tha McConnell. Ai shtoi se Capitol-i “do të vazhdojë procesin e certifikimint të zgjedhjeve pavarësisht përpjekjeve për bojkot”.

Reagim ka pasur edhe nga kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer. Ai theksoi se e sotmja “është një nga ditët më të errëta në historinë e SHBA-së”.

“Ky tempull i demokracisë u përdhos”, tha ai. “Kjo do të mbetet një njollë e errët në historinë e SHBA-së”.

Schumer, i cili do të marrë drejtimin e Senatit pas 20 janarit, sulmoi drejtpërdrejt presidentin Trump mbi ngjarjen.

“Ngjarjet e sotme nuk ndodhën rastësisht. Presidenti është fajtor direkt. Nëse ai nuk do ishte në këtë pozitë, bastisja e Capitol-it nuk do të kishte ndodhur”, përmbylli Schumer./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore