Lajme

SHBA lejon kompaninë e naftës ‘Chevron’ të rifillojë aktivitetet në Venezuelë


Shtetet e Bashkuara lehtësuan sanksionet e lidhura me naftën kundër Venezuelës të shtunën pasi qeveria e presidentit Nicolas Maduro dhe opozita njoftuan një marrëveshje humanitare për arsimin, shëndetin dhe çështje të tjera sociale.

Departamenti i Thesarit tha se do të lejonte kompaninë “Chevron” të rifillonte operacionet e kufizuara të nxjerrjes së naftës në Venezuelë.

Chevron është partner me PDVSA (kompania shtetërore venezueliane e naftës dhe gazit natyror) në disa sipërmarrje të përbashkëta të naftës që pompojnë dhe përpunojnë naftën bruto për eksport.

Të kombinuara, sipërmarrjet kishin prodhuar rreth 200 mijë fuçi në ditë (bpd) përpara se sanksionet amerikane dhe mungesa e financimit të ulnin prodhimin e tyre.

Pas sanksioneve të naftës ndaj Venezuelës në vitin 2019, Chevron mori një përjashtim për të tregtuar naftën e saj të papërpunuar venezueliane për të rikuperuar miliarda dollarë borxhe në pritje.

Këto privilegje u pezulluan nga presidenti i atëhershëm Donald Trump një vit më vonë, si pjesë e strategjisë së tij të “presionit maksimal” për të rrëzuar Maduro-n, rizgjedhja e të cilit në 2018 nuk u njoh nga Perëndimi.

Shtetet e Bashkuara këtë vit filluan të shqyrtojnë kërkesën e Chevron për të zgjeruar operacionet me më shumë urgjencë pasi Washington-i kërkonte naftë për të zëvendësuar furnizimet e goditura nga sanksionet ndaj Rusisë, si dhe vendimi i OPEC-ut për të ulur prodhimin.

Në javët e fundit, përfaqësuesit e Maduros dhe opozita zhvilluan diskutime në Paris nën kujdesin e presidentëve të Francës, Kolumbisë dhe Argjentinës për të thyer ngërçin politik.

Një numër në rritje i firmave të naftës po largohen nga sipërmarrjet e përbashkëta me PDVSA-n për shkak të borxhit në rritje dhe operacioneve të ngrira.

Tkurrja e pozicionon Chevron-in si të vetmin partner të fortë të mbetur që mund të ringjallë prodhimin, i cili do të bjerë këtë vit në rreth 650 mijë bpd, nën objektivin zyrtar prej 2 milionë bpd.

Venezuela ka rreth 300 miliardë fuçi rezerva nafte, më të mëdhatë në botë, por nuk ka mundur të arrijë objektivat e saj të prodhimit për shkak të investimeve të pamjaftueshme, mirëmbajtjes së dobët, mungesës së furnizimeve dhe sanksioneve amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore