Lajme

SHBA kundërshton planet për të forcuar OBSH-në


Shtetet e Bashkuara, donatorët kryesorë të  Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), po i rezistojnë propozimeve për ta bërë agjencinë më të pavarur, thanë katër zyrtarë të përfshirë në bisedime, duke ngritur dyshime për mbështetjen afatgjatë të administratës të presidentit amerikan, Joe Biden për agjencinë e Kombeve të Bashkuara.

Propozimi, i bërë nga grupi i punës i OBSH-së për financimin e qëndrueshëm, do të rriste kontributin vjetor të çdo shteti anëtar, sipas një dokumenti të OBSH-së të publikuar në internet.

Plani është pjesë e një procesi më të gjerë reformash të “galvanizuar” nga pandemia COVID-19, e cila ka nxjerrë në pah kufizimet e fuqisë së OBSH-së për të ndërhyrë herët në një krizë.

Qeveria amerikane po e kundërshton reformën sepse ka shqetësime në lidhje me aftësinë e OBSH-së për t’u përballur me kërcënimet e ardhshme, përfshirë nga Kina, thanë zyrtarët amerikanë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Në vend të kësaj, ajo po nxit krijimin e një fondi të veçantë, të kontrolluar drejtpërdrejt nga donatorët, që do të financonte parandalimin dhe kontrollin e emergjencave shëndetësore”.

Katër zyrtarë evropianë të përfshirë në bisedime, të cilët nuk pranuan të përmendeshin sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me media, konfirmuan opozitën e SHBA-ve. Qeveria amerikane nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm.

Propozimi i publikuar kërkon që kontributet e detyrueshme të shteteve anëtare të rriten gradualisht nga viti 2024, në mënyrë që ato të përbëjnë gjysmën e buxhetit bazë prej 2 miliardë dollarësh të agjencisë deri në vitin 2028, krahasuar me më pak se 20% tani, thuhet në dokument.

Buxheti kryesor i OBSH-së ka për qëllim luftimin e pandemive dhe forcimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën. Gjithashtu mbledh rreth 1 miliard dollarë shtesë në vit për të trajtuar sfida specifike globale si sëmundjet tropikale dhe gripin.

Mbështetësit thonë se mbështetja aktuale në financimin vullnetar nga shtetet anëtare dhe nga bamirësi si Fondacioni Bill dhe Melinda Gates e detyron OBSH-në të fokusohet në prioritetet e përcaktuara nga financuesit dhe e bën atë më pak të aftë të kritikojë anëtarët kur gjërat shkojnë keq.

Një panel i pavarur mbi pandemitë që u emërua për të këshilluar mbi reformën e OBSH-së kishte bërë thirrje për një rritje shumë më të madhe të tarifave të detyrueshme, në 75% të buxhetit bazë, duke e konsideruar sistemin aktual “një rrezik të madh për integritetin dhe pavarësinë” e OBSH-së.

Skepticizmi

Vetë OBSH iu përgjigj një pyetjeje duke thënë se “vetëm fondet fleksibël dhe të parashikueshëm mund t’i mundësojnë OBSH-së të zbatojë plotësisht prioritetet e Shteteve Anëtare”.

Donatorët kryesorë të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, e mbështesin planin, së bashku me shumicën e vendeve afrikane, aziatike, amerikano-jugore dhe arabe, thanë tre nga zyrtarët evropianë.

Propozimi do të diskutohet në mbledhjen e bordit ekzekutiv të OBSH-së javën e ardhshme, por ndarjet nënkuptojnë se nuk pritet asnjë marrëveshje, thanë tre nga zyrtarët.

OBSH konfirmoi se aktualisht nuk kishte konsensus midis shteteve anëtare dhe tha se bisedimet ka të ngjarë të vazhdojnë deri në takimin vjetor në maj në Asamblesë Botërore të Shëndetit, organi më i lartë vendimmarrës i agjencisë.

Donatorët evropianë në veçanti favorizojnë fuqizimin dhe jo dobësimin e organizatave shumëpalëshe duke përfshirë OBSH-në.

Një zyrtar evropian tha se plani i SHBA-ve, “shkakton skepticizëm midis shumë vendeve” dhe tha se krijimi i një strukture të re të kontrolluar nga donatorët, në vend të OBSH-së, do të dobësonte aftësinë e agjencisë për të luftuar pandemitë e ardhshme.

Washingtoni ka qenë kritik ndaj OBSH-së për disa kohë.

Ish-presidenti, Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga OBSH pasi e akuzoi atë për mbrojtjen e vonesave fillestare të Kinës në ndarjen e informacionit kur COVID-19 u shfaq atje në 2019.

Administrata Biden u ribashkua menjëherë pas marrjes së detyrës, por zyrtarët i thanë “Reuters” se mendojnë se OBSH-ja ka nevojë për reforma të rëndësishme dhe ngritën shqetësime për qeverisjen, strukturën dhe aftësinë e saj për t’u përballur me kërcënimet në rritje, jo më pak nga Kina.

Një nga zyrtarët evropianë tha se vendet e tjera të mëdha, përfshirë Japoninë dhe Brazilin, ishin gjithashtu në mëdyshje për propozimin e publikuar të OBSH-së.

Dy nga zyrtarët evropianë thanë se Kina nuk e kishte bërë ende të qartë pozicionin e saj, ndërsa një zyrtar i tretë renditi Pekinin në mesin e kritikëve të propozimit.

Qeveritë e Japonisë, Kinës dhe Brazilit nuk kishin asnjë koment të menjëhershëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore