Lajme

SHBA-ja kërcënon të gjithë ata që duan të tërhiqen nga Marrëveshja e Dejtonit


Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kërcënuar me sanksione të gjitha palët në Bosnje e Hercegovinë (BeH) që në rast se bëjnë përpjekje të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose ta destabilizojnë marrëveshjen e Dejtonit të arritur më 1995.

Këtë e ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Ky deklarim vije pak ditë pas vizitës së të dërguarit special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në BeH.

Tensionet në BeH dhe në rajon u ngritën pasi që udhëheqësi serb i presidencës së BeH, Millorad Dodik, kërcënoi pa reshtur për ndarjen e Republikës Srpska nga BeH.

“Si dëshmitare nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, SHBA-ja përsërit se lëvizjet për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga institucionet e nivelit shtetëror ose për të destabilizuar Marrëveshjen, do të përballen me veprime të duhura, përfshirë marrjen në konsideratë të sanksioneve”, ka shkruar Blinken në një letër drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe të Bosnjës përcjell REL.

Në letrën e Blinken thuhet gjithashtu se hapat për të minuar institucionet e Bosnjës, do të rrezikonin jo vetëm perspektivën evropiane të vendit, por do të dëmtonin edhe stabilitetin rajonal dhe ekonominë e brishtë.

“Shtetet e Bashkuara janë partneri më i fuqishëm i Bosnje dhe Hercegovinës në adresimin e shqetësimeve të ndarjes së pushtetit”, ka thënë Blinken.

Zëvendës Sekretari i Shtetit Antony Blinken

Blinken u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshihen në dialog që të gjejnë një konsensus, përfshi edhe ndryshimet në ligjin zgjedhor të BeH.

“Kërkon rikthim në tryezë, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe përkushtim për ndërtimin e konsensusit të nevojshëm për të çuar përpara këtë vend”.

“Stabiliteti dhe prosperiteti i projektligjit kërkon bashkëpunimin e të tre popujve përbërës, Republika Srpska dhe entitetet e Federatës, në mënyrë që të arrihen të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në letrën e Blinken.

Mirëpo, Dodik ka kërcënuar gjithashtu se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë gjyqësorin, ushtrinë dhe administratën tatimore të BeH.

Ai ka lënë mënjanë shqetësimet e ndërkombëtarëve se një agjendë e tillë mund të shkaktojë konflikt të ri në Bosnje, por edhe në rajon.

Tutje Dodik duke dashur të ik nga Marrëveshja e Dejtonit ka thënë se institucionet nga të cilat dëshiron të largohet, nuk janë përfshirë në Kushtetutën e dalë nga Dejtoni, por janë krijuar përmes amendamenteve.

Millorad Dodik

Përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt gjatë prezantimit të raportit për BeH në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mes tjerash ka thënë se konflikti dhe ndarja në Bosnje “janë shumë reale”.

Sipas tij, veprimet e Dodikut paraqesin “kërcënim ekzistencial” për Marrëveshjen e Dejtonit.

Përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt

Marrëveshja e Dejtonit (1995) ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Srpska e cila i përgjigjet federatës.

Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja e Dejtonit, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.

SHBA-të kanë deklaruar më herët se “nuk ka asnjë mënyrë kushtetuese” që entiteti me shumicë serbe të tërhiqet njëanshëm nga institucionet kombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore