Lajme

SHBA, hospitalizimet nga COVID-19 arrijnë nivelin më të lartë në 8 muaj


Numri i pacientëve me coronavirus në Shtetet e Bashkuara arriti në 100 mijё të enjten, niveli më i lartë në tetë muaj, sipas Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Ringjallja e COVID-19, nxitur nga varianti shumë ngjitës Delta, ka tendosur sistemin e kujdesit shëndetësor të kombit.

Shtrimet në spital në SHBA, gjatë muajit të kaluar, janë dyfishuar. Më shumë se 500 njerëz me COVID u pranuan në spitale mesatarisht çdo orë, sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

SHBA-tё arritën kulmin e tyre të të gjitha kohërave për shtrime në spital më 6 janar, kur kishte 132 mijё e 51 pacientë të infektuar me coronavirus në shtretërit e spitaleve, sipas një raporti të Reuters.

Ndërsa fushata e vaksinimit u zgjerua me shpejtësi në fillim të vitit 2021, shtrimet në spitale ranë dhe arritën nivelin më të ulët të vitit 2021, prej 13 mijё e 843 më 28 qershor.

Sidoqoftë, pranimet e COVID-19 u rritën papritur në korrik, pasi varianti Delta u bë tendenca dominuese. Jugu i SHBA-ve është epiqendra e shpërthimit të fundit, por shtrimet në spitale po rriten në mbarë vendin.

Florida ka numrin më të madh të pacientëve të shtruar me COVID-19, e ndjekur nga Teksasi dhe Kalifornia, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Më shumë se 95% e shtretërve të kujdesit intensiv aktualisht janë të zëna në Alabama, Florida dhe Georgia.

Varianti Delta, i cili po përhapet me shpejtësi në mesin e shumicës së popullsisë amerikane të pavaksinuar, gjithashtu ka dërguar një numër rekord të fëmijëve në spital.

Aktualisht ka mbi 2 mijё shtrime në spitalet pediatrike COVID-19 të konfirmuara dhe të dyshuara, sipas HHS.

Tre shtete, si Kalifornia, Florida dhe Teksasi, përbëjnë rreth 32% të totalit të shtrimeve në spitale të konfirmuara dhe të dyshuara pediatrike COVID-19 në SHBA.

Fëmijët aktualisht përbëjnë rreth 2.3% të shtrimeve në spital të vendit COVID-19, megjithatë fëmijët nën 12 vjeç nuk lejohen të marrin vaksinën.

Vendi po shpreson për autorizimin e vaksinës për fëmijët më të vegjël deri në vjeshtë me vaksinën BioNTech-Pfizer.

Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, këtë javë tha se kombi mund të vendosё pandeminё nën kontroll deri në fillim të vitit të ardhshëm nëse vaksinimet rriten.

SHBA-tё i kanë dhënë të paktën një dozë vaksine rreth 61% të popullsisë së saj, sipas Qendrёs sё Kontrollit dhe Parandalimit tё Sёmundjeve (CDC).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore