Lajme

“ShBA e sanksionoi shefin e BIA-së, disa këtu brengoseshin se s’i kanë informatat”


Aleksander Vulin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pasi që Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin.

Çitaku përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, ka thënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sanksionuan shefin e BIA-së, duke ironizuar kështu me disa në Kosovë, veçanërisht nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët pas kritikave të ShBA-së në drejtim të Kosovës, për shkak të situatës së krijuar në Veri, thonin se të njëjtit nuk janë të informuar siç duhet.

“SHBA e sanksionoi shefin e BIA-s. Se filluan disa këtu me u brengosë mos SHBA nuk po i ka informatat”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Ndërkaq, nënkryetarja e PDK-së theksoi se “ne, në vend se të pozicionohemi qartë dhe strategjikisht, merremi me targa, letra të bardha dhe ngujime ‘strategjike’ nëpër zyre”, duke iu referuar ngujimit të kryetarit të Leposaviqit në zyrën e tij në objektin komunal për më shumë se një muaj.

Departamenti Amerikan i Thesarit, këtë të martë, ka sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin-in.

Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Thesari Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.

“Vulin ka mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiç, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiç mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”.

“Veprimet e Vulin kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon”.

“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja po e mban përgjegjës ose bashkëpunëtor Vulin-in, ose i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në, korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”.

Amerika sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulin-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore