Shqipëria

“SHBA, bisedime sekrete me Kosovën dhe Shqipërinë për strehimin e afganëve”


Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka zhvilluar bisedime sekrete me më shumë vende, sesa ishin bërë publike, sipas deklaratave të katër zyrtarëve amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kjo me qëllim strehimin e përkohshëm të afganëve që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Sipas Reuters, edhe nga Kosova dhe Shqipëria, administrata amerikane ka kërkuar që të strehojë afganët e lidhur me SHBA-në, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.

Këto burime i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Washington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Në Afganistan janë duke u zhvilluar luftime të ashpra mes forcave të qeverisë afgane dhe talibanëve, të cilët po synojnë të marrin sa më shumë kontroll të territorit.

Ofensiva e talibanëve filloi në muajin maj, menjëherë pasi forcat e huaja, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara njoftuan se kanë filluar tërheqjen nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve ushtarake atje.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Hezitimi për të pranuar afganët

“Ngurrimi i disa vendeve për të pranuar afganët ka bërë që administrata t’iu bëjë thirrje shteteve të tjera që mund të jenë të gatshme të ndihmojnë në këtë drejtim”, thanë zyrtarët.

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë për Reuters se vendet me të cilat ka biseduar administrata amerikane ishin në mëdyshje për të marrë afganët, për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19, para se të lejoheshin të fluturonin.

Administrata e presidentit Biden ka shikuar mundësinë të dërgojë afganët në Kazakistan, Taxhikistani dhe Uzbekistan. Por, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në këtë drejtim.

Ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë Reuters për të komentuar këtë çështje.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i tha agjencisë Reuters se “mund të priten shqetësime të llojit: ‘Kush janë këta njerëz? Si i njihni këta njerëz? A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin viza në Shtetet e Bashkuara?”.

Por, ky zyrtar nuk pranoi të konfirmojë se me cilat vende po zhvillojnë bisedime Shtetet e Bashkuara.

Një marrëveshje me Katarin për strehimin e rreth 8,000 afganëve është përfunduar para disa javësh, tha një zyrtar amerikan, por ajo zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur.

Deri më tani, rreth 1 mijë e 200 afganë janë evakuuar në SHBA dhe ky numër do të rritet në 3, mijë e 500 në javët e ardhshme.

Afganistani në kaos

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten (13 gusht) se aleanca do të vazhdojë prezencën e saj civile diplomatike në Afganistan dhe se do të vazhdojë të mbështes trupat afgane në përballjen e tyre me ofensivën e talibanëve.

“Qëllimi ynë është që sa më shumë që të mundemi të mbështesim qeverinë dhe forcat e sigurisë afgane. Parësore është siguria e personelit tonë. NATO do të mbajë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës,” tha Stoltenberg, në një deklaratë pas një takimi të përfaqësuesve të NATO -s.

Talibanët kanë marrë kontrollin e një sërë kryeqytetesh rajonale gjatë një ofensive që e nisën menjëherë pasi forcat e huaja, në muajin maj, filluan tërheqjen nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe njoftuan të enjten se do të dërgojnë mijëra trupa në Afganistan për të evakuuar qytetarët e tyre.

Të premten u njoftua se ka filluar dislokimi i rreth 3 mijë trupave amerikane.

“Talibanët duhet të kuptojnë se ata nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare nëse e marrin vendin me forcë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një zgjidhje politike të konfliktit”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

“Situata në Afganistan është katastrofike”, tha një diplomat perëndimor për AFP-në.

Aleatët e NATO -s, Danimarka dhe Norvegjia njoftuan se do të mbyllnin përkohësisht ambasadat e tyre në Kabul.

Kryengritësit morën kontrollin në Kandahar, qyteti i dytë më i madh i Afganistanit dhe gjithnjë e më shumë janë duke iu afruar kryeqytetit Kabul.

Disa agjenci raportojnë se është çështje kohe se kur do të nisë ofensiva e talibanëve për të marrë kontrollin e kryeqytetit.

Qeveria afgane tani ka humbur kontrollin e pjesës më të madhe të vendit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha gjatë kësaj jave se nuk është penduar për vendimin e tij për tërheqje të trupave nga Afganistani duke theksuar se Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilionë dollarë në luftën më të gjatë të SHBA-së si dhe ka humbur mijëra trupa.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore