Lajme

SHBA arreston një irakian që ka komplotuar vrasjen e George W. Bush


Sipas Departamentit të Drejtësisë, një irakian që kërkoi azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte komplotuar vrasjen e ish-presidentit George W. Bush.

Në gjykatën federale në Columbus, Ohio, FBI paraqiti një ankesë ligjore kundër komplotistit të dyshuar, i cili u arrestua mëngjesin e së martës.

Irakiani 52-vjeçar mund të përballet me 30 vjet burg dhe 500 mijë dollarë gjobë nëse shpallet fajtor.

FBI mbi komplotin

Ai, i dyshuari, i ka thënë një informatori të FBI-së se po kërkonte të kontrabandonte të paktën katër irakianë të tjerë nga Meksika në SHBA për të ndihmuar në vrasje.

Ata donin të vrisnin Bush-in “sepse mendonin se ishte përgjegjës për vrasjen e shumë irakianëve dhe copëtimin e të gjithë vendit të Irakut”.

Në vitin 2003, administrata e Bush-it kishte kryer pushtimin e Irakut të udhëhequr nga SHBA-të pasi pretendoi se Bagdadi kishte poseduar armë të shkatërrimit në masë, një pretendim që më vonë u vërtetua se ishte i rremë.

Referuar FBI-së, komplotuesi kishte lënë të kuptohet se kishte kontakte me të ashtuquajturin ggrup “Shteti Islamik”.

Ai, në raport, ka vëzhguar vendndodhje të lidhura me Bush në Dallas, Texas dhe ka diskutuar me një informator se si të merrte armë, uniforma zyrtare të sigurisë dhe automjete që do të përdoreshin në komplot.

Por komploti nuk i afrohej konkretizimit.

Në shtator 2020, 52-vjeçari mbërriti në SHBA me një vizë vizitori dhe kërkoi azil në mars 2021 pasi skadoi viza.

FBI-ja kishte kontaktuar informatorët menjëherë pas kërkesës së tij për azil dhe deri në këtë muaj.

Zemërimi për luftën në Irak

Vendimi i Bush-it për të nisur një luftë kundër Irakut është kritikuar gjerësisht si një katalizator për trazirat dhe dëmet e mëvonshme politike të vendit.

Lufta rrëzoi qeverinë e Sadam Husein-it, por gjithashtu rezultoi në vdekjen e pjesëtarëve të shërbimit amerikan dhe qindra mijëra civilëve irakianë.

Në vitin 2008, në shenjë të zemërimit të irakianëve ndaj tij, një gazetar hodhi një palë këpucë ndaj ish-udhëheqësit amerikan gjatë një konference shtypi në Irak në fund të mandatit të tij të fundit në detyrë.

“Kjo është një puthje lamtumire nga populli irakian, o qen”, i tha gazetari, tejet popullor në Irak.
Javën e kaluar, Bush bëri një gafë të dukshme gjatë një fjalimi në qendrën e tij presidenciale në Dallas.

Teksa dukej sikur donte të dënonte luftën e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, ai iu referua “vendimit të një njeriu për të pasur një pushtim krejtësisht të pajustifikuar dhe brutal të Irakut – dua të them të Ukrainës”, ka thënë Bush.

“Edhe Iraku, gjithsesi”, shtoi duke qeshur, përpara se të fajësonte moshën e tij për gabimin, duke thënë thjesht “75”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore