Kosova

Shatë mijë nxënës kosovarë do t’i nënshtrohen testit të PISA-s


Ilustrim

Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Popovci, ka njoftuar se në testin e Programit për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) do të marrin pjesë shtatë mijë nxënës nga 237 shkolla.

Gjatë një konference për media, Popovci, ka thënë se shkollat përfshijnë nivelet e mesme dhe të mesme të ulëta pasi që kriteri i PISA-s është që nxënëst t’i takojnë moshës 15-vjeçe, teksa ka shtuar se përgatitjet për zhvillimin e testit tashmë kanë filluar.

Dukagjin Popovci – Zëvendësministër i Arsimit.

“Jemi të përgatitur për t’iu nënshtruar këtij testi. Është përzgjedhur mostra prej 237 shkollave, disa janë të mesme të larta disa të mesme të ulëta, sepse këtu shkojnë nxënës 15 vjeçarë. Janë përzgjedhur 7 mijë nxënës që do të marrin pjesë në testin PISA”, ka thënë Popovci.

“Ky test tashmë ka filluar përgatitjet nëpër komuna për zhvillimin e testit. Këta 7 mijë nxënës të njihen me mënyrën e kryerjes së testit, pra të mësohen me pyetjet që jepen përmes kompjuterit gjatë javëve në vijim. Koordinatorët e testit PISA në nivel të komunave dhe në nivel të shkollave do të punojnë secili me nxënësit e vetë”, ka shtuar ai.

Një datë finale për provimin në testin e PISA-s nuk është caktuar akoma, por që Popovci ka zbuluar se mund do të zhvillohet mes fundit të muajit prill deri më 20 maj, ndërsa rezultatet do të publikohen në dhjetorin e vitit 2023.

“Diku prej datës 25 prill deri më 20 maj do të mbahet testi sipas një orari të përcaktuar. Duhet të shkohet në dhoma ku ka numër të mjaftueshëm të kompjuterëve që janë të lidhur me internet përmes të cilëve, nxënësit do t’i nënshtrohen këtij testi. Rezultatet pritet të dalin në dhjetorin e vitit 2023”, ka thënë ai.

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite.

PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa provimi nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Po ashtu, PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore