Lajme

Shaip Kamberi për herë të katërt pret votat e tërnocasve për mandatin e deputetit


Shaip Kamberi, ish-deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë

Mëngjesi i kësaj të enjte të 23 qershorit, i gjeti banorët e Tërnocit të Bujanovcit sërish në zgjedhje.

Kjo është hera e katërt që në vendvotimin me numër gjashtë do të shprehin vullnetin e dyte demokratik për liderët që do t’i përfaqësojnë në mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

Ky vendvotim ka rëndësi të veçantë që ish-deputeti shqiptar Shaip Kamberi të marr votat e duhura për të siguruar ulësen në parlamentin e Serbisë.

Zgjedhjet në këtë vendvotim u anuluan për shkak të problemeve të raportuara gjatë procesit zgjedhorë.

Por, para mbajtjes zyrtare të zgjedhjeve në raundin e katërt kandidati për deputet nga Partia për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kishte reaguar me një status në llogarinë e tij në Facebook duke thënë se serbët kanë filluar me presione.

“Pavarësisht presioneve që, në vazhdimësi, po vijnë nga Komisioni qendror zgjedhor, në procesin e zgjedhjeve parlamentare, tentativave për të penguar reprezentimin e shqiptarëve në parlament, Partia për Veprim Demokratik, bashkë me partnerët e koalicionit, do të vazhdojë të garojë në zgjedhjet e përsëritura në njësinë numër 6 në Tërnoc, që do të mbahen të enjten e 23 qershorit”, ka shkruar Kamberi.

“Në një takim me strukturat e veta, PVD, sërish rithekson rëndësinë e përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve  në një situatë në të cilën, në mbarë Ballkanin Perëndimorë, priten vendime të rëndësishme të cilat mbarë rajonin duhet ta orientojnë drejt integrimeve euro-atlantike”, kishte deklaruar ai.

“PVD është e vetëdijshme se ky proces zgjedhor që po zvarritet me ndërhyrje të shuma të shtetit, është shndërruar në lodhje për zgjedhësit e njësisë gjashtë, por, duke parë rëndësinë e momentit në të cilin ndodhemi, perspektivën në të cilën gjendet mbarë rajoni, i fton gjithë përkrahësit e dashamirët që, edhe kësaj radhe, t,i përgjigjen në mënyrë masive daljes në zgjedhje, për të dëshmuar fuqinë politike e përfaqësuese të shqiptarëve”.

Kamberi është i bindur se pavarësisht presioneve që po bën Beogradi zyrtarë “tërnocasit do të vulosin me votën e vet fitoren e Kolaicionit të shqiptarëve të Luginës, për të siguruar mandatin e deputetit dhe përfaqësimit të dinjitetshëm politik, në organin më të lartë përfaqësues”.

Shaip Kamberi bëri të ditur se përkrahja nga institucionet e Republikës së Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së veriut nuk ka munguar as këtë herë.

Në raundin e tretë të mbajtura më 27 maj, në vendvotimin në shkollën fillore “Muharrem Kadri” votuan 618 nga 1050 votuesit e regjistruar. Partia Socialiste e Serbisë mori gjashtë vota, ndërsa koalicionet NADA dhe Alternativa për ndryshim nga dy vota. Dhjetë fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Pas numërimit të votave, Shaip Kamberi kishte fituar shumicën e tyre, dhe kishte mbledhur mjaftueshëm për t’u zgjedhur deputet, por, më pas Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) i kishte anuluar zgjedhjet e përsëritura.

Gjykata Administrative kishte hedhur poshtë ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës-KSHL ndaj vendimit të KRZ-së për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërrnoc.

Krerët shtetëror të Kosovës e Shqipërisë, vazhdimisht kanë mbështetur Kamberin duke bërë  thirrje qytetarëve shqiptarë të mobilizohen për ta votuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore