Përballje

Serie A: Milan dhe Juventus zbresin në fushë


Pas ndeshjeve të së martës, ku Inter dhe Atalanta arkëtuan nga tri pikë, xhiro e pestë në Serie A italiane vazhdon edhe këtë të mërkurë me katër ndeshje.

Dy takime do të fillojnë nga ora 18:30, ku Juventus do të jetë mysafir i Spezia-s, derisa Salernitana do të përballet me Verona-n.

Juventus do të udhëtoj në këtë sfidë, pas një krize të thellë rezultatesh, të cilën nuk e kishte që nga rikthimi në Serie A.

Pas katër ndeshjeve të luajtura, bardhezinjtë kanë marrë vetëm dy pikë, duke u pozicionuar në vendin e parafundit në tabelë, ku vetëm Salernitana është më dobët, me asnjë pikë.

Ndërsa Spezia pozicionohet në vendin e 12-të me katër pikë të grumbulluara.

Në anën tjetër, Milan-i do të pret në shtëpi skuadrën e Venezia-s, takim ky që do të fillojë në ora 20:45.

Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje pas një forme shumë të mirë, ku në katër ndeshjet e para kanë arritur tri fitore dhe kanë barazuar takimin e fundit me Juventus-in.

Kurse Venezia vjen në këtë ndeshje, pas tri humbjeve dhe një fitore përballë Empoli-t.

Trajneri i Milan-it, Stefano Pioli nuk do të mund të llogarisë për këtë ndeshje në lojtarët si Calabria, Bakayoko e Krunic, ndërsa pritet të kthehen Ibrahimovic e Giroud.

Ndërsa, takimi tjetër i mbrëmjes të së mërkurës, do të zhvillohet mes Cagliari-t dhe Empoli-t, me fillim nga ora 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore