Sport

Serena Williams tërhiqet nga US Open


Serena Williams është bërë lojtarja e fundit e profilit të lartë që tërhiqet nga US Open, që fillon në javën e ardhshme.

Në një postim në mediat sociale, 39-vjeçare amerikane tha se i duhej kohë për të lejuar që trupi i saj të “shërohej plotësisht” nga lëndimi.

Williams i bashkohet kampionit të meshkujve Dominic Thiem, Roger Federer dhe Rafael Nadal, në tërheqjen nga Grand Slam i këtij viti.

Turneu, në Flushing Meadows në New York, fillon më 30 gusht.

Williams shkroi në Instagram: “Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe ndjekjes së këshillave të mjekëve dhe ekipit tim mjekësor, kam vendosur të tërhiqem nga US Open për të lejuar që trupi im të shërohet plotësisht nga lëndimi”.

“New York-u është një nga qytetet më emocionues në botë dhe një nga vendet e mia të preferuara për të luajtur, do të më mungojë të shoh tifozët, por do të bëj tifo nga larg”.

“Faleminderit për dashurinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Shihemi së shpejti.”

Williams pësoi lëndimin gjatë ndeshjes së saj në raundin e parë në Wimbledon në qershor, kur kampionja u detyrua të tërhiqej kundër Bjelloruses Aliaksandra Sasnovich.

Ajo ngriti trofeun e saj të parë të madh në Flushing Meadoës në vitin 1999, duke mposhtur lojtaren zvicerane Martina Hingis që u bë gruaja e parë afrikano-amerikane që fiton trofeun që nga Althea Gibson në vitin 1958.

Pas barazimit të rekordit të Chris Evert prej gjashtë titujsh në Nju Jork në 2014, Williams arriti përsëri në finale katër vjet më vonë, por u mund nga ylli japonez në rritje Naomi Osaka – tani tri herë fituese e Grand Slam – në një përfundim të diskutueshëm të turneut të grave.

Në rastin e meshkujve, austriaku Thiem është tërhequr për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës, fituesi 20-herë i Grand Slam Federer po përgatitet të ketë një operacion të mëtejshëm në gju, ndërsa numri pesë i botës Nadal është jashtë për shkak të një dëmtimi në këmbën e majtë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore