Lajme

Serbit të dyshuar për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Veri, i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj


Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit D.O., ndërsa të dyshuarit tjetër R.P, masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë në vlerë prej 30 milionë euro.

Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tyre e ka konfirmuar gjykatësi, Musa Konxheli për ‘Betimin për Drejtësi’.

Dy të pandehurit dyshohen për përfshirje në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në Veri.

Edhe më 23 qershor, policia ka arrestuar N.O., apo njohur ndryshe me nofkat si “Nemac” dhe “Rusi”, pasi ka siguruar prova që i njëjti ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me 29 maj, në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan.

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Tre policë të Kosovës ishin kidnapuar të mërkurën e 14 qershorit  nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.

Të njëjtit u liruan të hënën e 19 qershorit.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës, kishte thënë se kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.

Lirimin e menjëhershëm të tre policëve e kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pas këtij veprimi Kosova kishte shtrënguar masat e sigurisë në pikat kufitare, duke rritur kontrollin e mjeteve me targa të Serbisë. Kjo shkaktoi bllokim e pritje të gjata në pikat kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore