Sport

Serbia ua ndalon pjesëmarrjen pingpongistëve kosovarë në Kampionatin Evropian


Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se Serbia ua ka ndaluar pingpongistëve kosovarë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21 i cili po mbahet në Beograd.

“Pavarësisht se Kosova është anëtare me të drejta të plota në ETTU, sërish Serbia e mohoi pjesëmarrjen tonë si anëtare e barabartë në Kampionatin Evropian të të rinjve 22’ që po mbahet në Serbi, duke mos lejuar që të rinjtë tanë të jenë pjesë e lojërave të pingpongut”, thuhet në njoftim.

Sipas KOK-ut, ndërhyrja politike në aktivitetet e sportistëve duhet të dënohet.

“U bëjmë thirrje të gjitha strukturave sportive vendore dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e të drejtës themelore të sportistëve tanë për pjesëmarrje në të gjitha garat”.

“Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”.

KOK i bëri thirrje Federatës Evropiane të Pingpongut që të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të Evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore