Lajme

Serbia prodhon një tjetër dokumentar propagandistik për Reçakun


Ilustrim

Një prej karakteristikave kryesore të prodhimit dhe të përhapjes së propagandës është depërtimi dixhital nëpërmjet mediave tradicionale, duke përfshirë stacionet televizive dhe gazetat kryesore, ndërsa shembujt nuk janë të vështirë për t’u gjetur në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi – një shtet në mes të një kryqëzimi kritik midis demokracisë dhe autoritarizmit.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) do të transmetojë një tjetër dokumentar propagandistik për Masakrën e Reçakut – një episod tjetër në serinë e gjatë të vrasjeve masive të kryer nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës në Kosovë, një ngjarje tronditëse dhe tmerruese, mizoria e së cilës mund të matet me anë të peshimit të hirit dhe plagëve që mbeten të hapura.

Dokumentari i titulluar “Kosova – Dosja e Reçakut” – prodhim i RTS-së nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë (MPJ) – do të transmetohet të martën në orën 20:50. Në njoftimin e televizionit është thënë se dokumentari në fjalë synon t’i përgjigjet “pyetjeve të shumta”, duke e cilësuar masakrën e 45 civilëve shqiptarë “aksion anti-terror”.

Në Serbi pretendojnë se Raçaku u inskenua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Megjithatë, raporti i ekipit finlandez të Këshillit të Evropës (KiE) nga mjekësia ligjore konfirmoi se asnjëra nga viktimat nuk doli të ishte tjetër përpos “civil i pambrojtur dhe i paarmatosur” për t’u pasuar nga deklarata e Këshillit të Sigurimit (KS) ku thuhej se Serbia ishte përgjegjëse për mizorinë.

“Filmi shfaq fotografi ekskluzive të pjesëtarëve të njësitit të UÇK-së, të cilat hedhin poshtë tezën se në Reçak janë vrarë ‘civilë të pafajshëm’”, raportoi televizioni publik serb të martën, ndërsa lajmëroi se pjesë të dokumentarit do jenë edhe ekspertë të mjekësisë ligjore dhe avokatë të ndryshëm.

Nuk është hera e parë që Serbia prodhon propagandë në përpjekje për ta ndryshuar historinë. Para disa viteve, kinematografia serbe prodhoi një film të titullar “Harvest”, ku i jepet jehonë një perspektive të shtrembëruar luftës në Kosovë. Filmi në fjalë pretendonte se ushtarët e UÇK-së kryen trafik organesh në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e viktimave, ndërsa çerek shekulli më pas, populli serb ende ushqehet nga propaganda dhe trillimet.

Krimi i pandëshkuar i Serbisë në Kosovë – 25 vjet nga “vizita e djallit” në Reçak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore