Lajme

Krimi i pandëshkuar i Serbisë në Kosovë – 25 vjet nga “vizita e djallit” në Reçak


Ilustrim

Më shumë se dy dekada më parë, më 15 janar 1999, vdekja e vizitoi një fshat të vogël afër Shtimes apo saktësisht “djalli e vizitoi Reçakun” – sipas përkufizimit të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, kur nga afër kishte parë masakrën e 45 shqiptarëve etnikë nga policia dhe ushtria serbe.

“Ky është krim kundër njerëzimit”, deklaroi ambasadori amerikan mëngjesin e 16 janarit para gropës së mbushur me kufoma shqiptarësh – varrezë masive që nuk ishte mbyllur qëllimshëm – dhe fjala e tij për pak minuta u bë kryelajm i të gjitha mediave botërore: “Nga ajo që unë pashë nuk ngurroj ta përshkruaj ngjarjen si masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

“Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, theksoi ndër të tjera ambasadori Walker mëngjesin e 16 janarit në Reçak, ku incizoi tërë situatën, përfshirë edhe kufomat e shtrira në rrugën e ngushë malore mes shkurreve, përkundër përpjekjeve dhe presionit të Serbisë për t’i manipuluar dëshmitë menjëherë pas masakrës më të llahtarshme të Serbisë në Kosovë.

Në Serbi pretendonin se Raçaku u inskenua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Megjithatë, raporti i ekipit finlandez të Këshillit të Evropës (KiE) nga mjekësia ligjore e konfirmoi se asnjëra nga viktimat nuk doli të ishte tjetër pos “civil i pambrojtur e i paarmatosur” për t’u pasuar nga deklarata e Këshillit të Sigurimit (KS) ku thuhej se Serbia ishte përgjegjëse për mizorinë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasditen e 15 janarit 1999, këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, ishin përplasur në “Dhomën e Situatave” në Shtëpinë e Bardhë në Uashington rreth ndërhyrjes së SHBA-së dhe NATO-s në Kosovë.

Sekretarja e Departamentit të Shtetit (DASH), Madeleine Albright, ndonëse nuk ishte akoma në dijeni për ngjarjen e llahtarshme që kishte ndodhur në Reçak, argumentoi se SHBA-të dhe NATO-ja duhej ta bombardonin menjëherë “atë bir bushtre”, duke iu referuar udhëheqësit fashist, Sllobodan Millosheviç, gjykimi për krime lufte i të cilit mbeti i papërfunduar.

Mendimi i Albrightit për Millosheviçin, zbuluan ndihmës të afërt të saj, u nxit kryesisht nga ngjarjet që karakterizuan Evropën e shekullit njëzet (XX). Bombardimi i Serbisë ishte një mision shumë personal për kreun e diplomacisë amerikane, sepse edhe ajo kishte përjetuar një fat të njëjtë dikur, atëherë kur u largua nga Çekosllovakia pas pushtimit nazist.

“Albright, më shumë se kushdo tjetër në këtë administratë, udhëhiqet nga biografia e saj. Ajo besonte thellësisht se Hitleri dhe tiranët e tjerë mund të ishin ndalur nëse do të përballeshim më herët me ta, dhe këtë pikëpamje e ndoqi edhe në Jugosllavi”, kishte thënë një diplomat i lartë amerikan.

Katër ditë më vonë, komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, fluturoi në Beograd për t’u takuar me Millosheviçin dhe me vete kishte marrë fotografi që dëshmonin masakrën e Reçakut. Clark shoqërohej nga gjenerali gjerman Klaus Naumann, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dhe paralajmëruan “shumë hapur” Serbinë se aleanca është e përgatitur për të sulmuar.

Perëndimi reagoi me zemërim ndaj masakrës së 45 shqiptarëve, ndërsa Serbia bënte përpjekje për t’i mohuar krimet e luftës. Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës, sepse vendet perëndimore nën udhëheqjen e SHBA-së, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike, më 24 mars 1999, filluan bombardimin e Serbisë përmes forcave të NATO-s.

Reçaku ishte një episod tjetër në serinë e gjatë të vrasjeve masive, një ngjarje tronditëse dhe tmerruese, mizoria e së cilës mund të matet me anë të peshimit të hirit dhe plagëve që mbeten të hapura. Çerek shekulli më pas, në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, bëhen homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, ku janë të gdhendur emrat e çdo personi të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore