Lajme

Serbia nuk e mbështet deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalnyt ku fajësohet Putini


Nga funerali i Aleksei Navaly

Serbia nuk e ka mbështetur deklaratën e përbashkët të Bashkimit Evropian sa i përket vdekjes së politikanit opozitar rus, Aleksei Navaly, i cili vdiq më 16 shkurt në burgjet ruse.

Këtë e ka raportuar “Radio Evropa e Lirë”, në bazë të burimeve të saja diplomatike.

Këtë deklaratë, në emër të Unionit, e ka propozuar Përfaqësuesi i Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

REL ka mësuar se vendet që nuk janë anëtare të BE-së kanë pasur afat deri më 28 shkurt që t’i bashkohen kësaj deklarate, mirëpo deri në këtë afat kohor, Beogradi zyrtar nuk është shprehur për këtë temë, çka nënkupton se nuk e ka mbështetur të njejtën.

Burimet e REL-it bëjnë me dije se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë mbështetur deklaratën e Unionit, e cila Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, e mban direkt përgjegjës për vdekjen e Navalnyt.

Ky rast nuk është i vetmi kur Serbia nuk është rreshtuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian në politikën e jashtme sa i përket qëndrimeve ndaj Rusisë – aleate e kahershme e saj.

Ndryshe nga Unioni, Beogradi zyrtar, së bashku me Bosnje e Hercegovinën – për shkak të vetos që Republika Srpska përdor në presidencën trepalëshe të BeH-së (kroate, boshnjake dhe kroate) – nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pas agresionit në Ukrainë.

Ndryshe, Navalny, kritik i ashpër i Kremlinit, vdiq në një burg në Arktik, ku po vuante një dënim të gjatë nën akuza për ekstremizëm.

Familja e tij, bashkëpunëtorët dhe shumë qeveri perëndimore e kanë fajësuar drejtpërdrejt Putin-in për vdekjen e Navalnyt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore