Kosova

Serbia kërkon që Rusia dhe Kina të përfshihen në dialog


Pas kërkesës së Kosovës, që në dialogun me Serbinë të kenë rol kyç Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia ka kërkuar që në këtë proces të përfshihen edhe Rusia e Kina. Kjo si një kundërpërgjigje ndaj kërkesës së Kosovës.

Këtë kërkesë për përfshirjen në dialog të Rusisë dhe Kinës e ka bërë kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të KB, përfundimisht do të duhet të përfshihen në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, përcjell Tanjug.

Po ashtu ai ka thënë se pavarësisht devalvimit të ideve me anë të non-paper diçka që do të mbetet edhe më tutje është fakti se presioni do të rritet edhe më shumë ndaj Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Ju keni parë që ekziston një inflacion i përgjithshëm i ideve të ndryshme kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Metohinë, non-paper dhe gjithçka tjetër”.

“Konstante sigurisht që do të mbetet, presioni mbi Serbinë për të pranuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës përmes këtij formulimi të të ashtuquajturës njohja reciproke, e cila është absolutisht e papranueshme për ne”, ka deklaruar Daçiq për Sputnik në vizitën e tij që është duke zhvilluar në Rusi.

Pas takimeve me liderët e institucioneve dhe partive opozitare që kanë zhvilluar Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, të gjitha kërkesat nga ana kosovare kanë qenë që SHBA-të të kenë një rol kyç në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore