Shqipëria

Serbia bojkoton ministerialin për Punët e Brendshme në Tiranë prej temës së Ukrainës, BE kërkon ‘diskutim urgjent’


E enjtja e 3 nëntorit pa të mbledhur në Tiranë ministerialin për Punët e Brendshme, mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë siguria globale dhe në veçanti, agresioni rus në Ukrainë.

Por, pikërisht mbi këtë të fundit, me një rreshtim të qartë pro-rus, Serbia e ka bojkotuar ministerialin dhe nuk ka sjellë në Tiranë asnjë përfaqësues zyrtar.

E njëjta sjellje kjo, me atë të disa javëve më parë, kur Serbia bojkotoi Samitit në kuadër të Platformës së Krimesë, për shkak të rreshtimit pro politikave ruse.

Burime konfidenciale të Albanian Post, kanë saktësuar se kjo sjellje e Beogradit, e ka shqetësuar unionin tepër dhe ka ngritur një alarm për ndërkombëtarët, duke i detyruar vendet e BE-së të kërkojnë një “diskutim urgjent” për të trajtuar pozicionimin e Serbisë në rrjedhën e politikëbërjes evropiane lidhur me çështjen e Ukrainës.

Të dy sesionet e agjendës së ministerialit, kanë pasur në vëmendje edhe çështjet e migrimit, për të cilat është deklaruar nga ministri i Brendshëm shqiptar, Bledar Çuçi, se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe për më tepër Shqipëria, kanë dhënë kontribut të veçantë lidhur me sigurinë e vendeve të BE-së.

Një koment, ai e ka pasur edhe mbi luftën në Ukrainë, në fjalën e tij.

“Lufta përveç mizorisë e brutalitetit, po sjell edhe pasoja të mëdha në stabilitetin dhe sigurinë e vendeve evropiane dhe me gjerë. Prandaj politika e zgjerimit është thelbësore për të ardhmen e vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka trajtuar Çuçi.

Në takim, ashtu si është shpjeguar edhe nga Ministria e Brendshme shqiptare, kanë përfaqësues nga të gjitha vendet e tjera të rajonit: Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Pra, është vërtetuar edhe kështu se Serbia si pjesëmarrëse, nuk përmendet askund dhe e ka bojkotuar procesin.

Ndërsa, përfaqësues të EUROPOL dhe FRONTEX, kanë qenë gjithashtu pjesë e takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore