Kosova

“Serbia anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën si shtet” – Hill s’tha asgjë të re, ky është vendim i Unionit 


Ilustrim

Ajo çfarë deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill – deklaratë kjo e cila u komentua gjerësisht –  nuk përfaqëson asgjë të re dhe se e njëjta duhet parë në dritën e vendimit të 22 prillit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Diplomati veteran amerikan, tha se BE-ja nuk do të kërkojë nga Beogradi zyrtar ta njohë de jure e pavarësinë e Kosovës nëse anëtarësohet në Union. Në vlerësimin e tij Unioni po kërkon nga Beogradi zyrtar vetëm normalizimin e raporteve me Kosovën.

Kjo deklaratë e Hill, për analistin politik, Petrit Zogaj, është vazhdimësi e vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, e cila ndryshoi kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“BE-ja në deklaratën finale të 22 Prillit të këtij viti, përfshiu Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe implementimin e tyre si kushte që duhet kaluar nga Serbia në procesin e saj të anëtarësimit”, thotë Zogaj për AP.

Vendimi i 22 prillit kishte të bënte me kapitullin 35-të të kornizës negociuese në të cilin zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit u bë kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Kosova nga kjo marrëveshje do të përfitonte njohjen de facto të Serbisë, ndërsa Serbia formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo çfarë Hill ka thënë është vetëm citim i vendimit të BE-së në raport me procesin e anëtarësimit të Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën pra, jo njohja, ashtu siç e parasheh edhe marrëveshja është kushti që BE-ja i ka vendosë Serbisë në këtë proces”, shton Zogaj.

Hill, me këtë deklaratë, vlerëson Zogaj, nuk artikulon qëndrimin amerikan, por më shumë vënë theksin te procesi i anëtarësimi dhe kushteve të BE-së.

Në anën tjetër si të “pa imagjinueshme” e sheh diplomati kosovar, Avni Arifi, faktin se Serbia mund të anëtarësohet në BE pa e zgjidhur problemin me Kosovën, rrjedhimisht pa e njohur atë.

Meqë, BE-ja, në vlerësimin e tij këtë gabim e ka bërë njëherë – me pranimin e Qipros në Union.

“Është e vështirë të besohet se BE-ja do të bëj gabimin e Qipros dhe të pranojë dy shtete në organizatë që nuk e njohin njëra-tjetrën. Kjo do të ishte hiq ma pak se import jostabiliteti”, thotë ai për AP.

Qiproja u bë anëtare e BE-së në vitin 2004. Megjithatë ajo në terren funksionon si dy shtete të ndara.

Qiproja është e ndarë që nga viti 1974, kur Turqia aneksoi një pjesë të vendit.

Pjesa veriore e Qipros e kontrolluar nga Turqia shpalli pavarësinë e saj në vitin 1983. “Kuzey Kibris Turk Cumhuriyeti” apo e ashtuquajtura Republika Turke e Qipros Veriore, njihet vetëm nga Ankaraja.

Që nga viti 1974 problemi i Qipros – përkundër punës dhe insistimit ndërkombëtar – nuk është zgjidhur ende.

Qipriotët grekë thonë se pengesë për mosarritjen e marrëveshjes është këmbëngulja nga pala turke që Qipro të ndahet në dy shtete, ndërsa Nikozia mbështet ribashkimin bazuar në një model federal.

Ndërkohë Arifi vlerëson se deklaratat e Hill, duhet të shikohen gjithmonë nga prizmi “i angazhimeve të tij personale për avancimin e raporteve bilaterale në mes Serbisë dhe SHBA-ve”.

Departamenti Amerikan i Shtetit, pas deklaratave të Hill, tha se qëndrimi i Uashingtonit zyrtar për sa i përket procesit të normalizimit nuk ka ndryshuar dhe se synimi i afatgjatë i politikës amerikane është që në fund të dy shtetet ta njohin njëra-tjetrën.

Për Robert Bosch, ish-ambasadorin e Holandës në Kosovë, kjo deklaratë e DASH-it mund të cilësohet si një “korrigjim diplomatik” i deklaratës së Hill i artikuluar ditë më parë.

“Edhe ambasadori Rohde e kundërshtojë qartë deklaratën e Hill-it, madje DASH-i e korrigjoj atë me një gjuhë shumë diplomatike”, tha ai për Albanian Post.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ndërsa komentoi deklaratën e Hill, kujtoi qëndrimin e artikuluar kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë dhe Serbi në qershorin e vitit 2022.

Scholz në qershorin e vitit 2022 tha se është e “paimagjinueshme që Kosova dhe Serbia, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”.

“Kjo deklaratë ende qëndron. Rruga është atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit nga të dyja palët sa më shpejt”, shkroi Rohde.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore