Kosova

Serbët në Veri nuk kënaqen veç me Asociacionin, duan më shumë


Ilustrim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, të enjten garantoi se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën Kosova e pranoi javë më parë, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por një deklaratë e tillë sipas Partisë së Serbëve të Kosovës nuk mund të konsiderohet si asgjë tjetër përpos komedi.

“Duke qenë se jetojmë në një kohë tensionesh të rrezikshme nuk ka vend për shaka dhe lojëra. Asociacioni, si një projekt për të cilin është rënë dakord saktësisht dhjetë vjet më parë, me garanci nga i njëjti Perëndim, tani ka nevojë për disa të dashur perëndimorë që të shërbejnë si maskë për spastrimin etnik të serbëve dhe heqjen e të gjitha të drejtave të tyre dhe atyre që i garanton edhe Kushtetuta”, thuhet në reagimin e partisë i cili udhëhiqet nga Aleksandër Jabllanoviç.

Serbët, sipas Partisë së Serbëve të Kosovës, nuk do ta pranojnë kurrë një Asociacion brenda së cilës do të humbasin identitetin dhe të drejtat.

“Pavarësisht nga fjalori diplomatik, referenca në ndonjë lloj Kushtetute, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në përputhje me interesin e popullit serb në Kosovë”.

Kushtetuta e Kosovës, sipas Partisë së Serbëve të Kosovës, në krahasim me të drejtën kolektive të serbëve për një jetë normale, të papenguar dhe të sigurt në Kosovë është çështje dytësore dhe nuk mund të vihet kurrë në plan të parë.

“Askush nuk është konsultuar me serbët nga Kosova dhe as nuk ka marrë parasysh nevojat dhe interesat e tyre, dhe pa serbët dhe pëlqimin e tyre nuk ka Asociacion. Vetëm përmes pushtetit ekzekutiv mund të arrihet në pozita nga të cilat mund të përmirësohet jeta e serbëve, dhe gjithçka tjetër është vetëm një konfirmim se Albin Kurti nuk është i vetëm në planin e tij për të dëbuar në heshtje serbët nga Kosova me të gjitha mjetet dhe se ai ka aleatë dhe mentorë për këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore