Sport

Selmani nuk mundi të luante pasi që nuk kishte pasaportë, tani është gati


Njëri ndër futbollistët e fundit që iu bashkua ekipit kombëtar të Kosovës, Astrit Selmani, është i gatshëm debutojë me Kosovën në ndeshjen kundër Suedisë me 9 tetor.

Hera e parë që Selmani u grumbullua me Kosovën, ishte ndeshja ndaj Spanjës, por ai nuk u inkuadrua në lojë për asnjë moment.

Në konferencën për media, menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, tha se Selmani nuk u inkuadrua pasi që nuk pati pasaportë të Kosovës.

“Selmani tani e ka marrë pasaportën dhe është gati për ndeshjet e këtij muaji. Nëse një lojtar që nuk e ka pasaportën dhe nuk luan nuk ka asnjë rrezik apo penalizim”, ka thënë Shala, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Edhe trajneri Bernard Challandes ka treguar që Selmani nuk e kishte të lehtë kur mori vesh se nuk mund të luante në atë ndeshje.

“Nuk ka qenë e lehtë për të kur e ka kuptuar se nuk do të luajë, por ai ka dashur të jetë me pjesën tjetër të ekipit dhe të stërvitet. Natyrisht, ka qenë i dëshpëruar por ka qenë e pamundur të luajë”, tha trajneri i Kosovës.

“Natyrisht, jam kritikuar se nuk e kam futur, por situata ishte e tillë. Me rëndësi, është që Selmani të jetë pjesë e integruar e ekipit. Deri në momentin e fundit kemi pritur që të pajiset me pasaportë, por nuk ndodhi. Kështu që, tani është gati”, tha Challandes në konferencën për media.

Kujtojmë që Astrit Selmani është një futbollist shumë premtues, i cili ishte kërkuar edhe nga kombëtarja e Suedisë, por në fund vendosi të luajë për Kosovën.

Ai po kalon një periudhë të mirë me ekipin suedez, Hammarby, me të cilët ka shënuar 10 gola në 32 paraqitje me të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore