Kosova

Selmanaj: Shoqëria e Kosovës dhe e Serbisë janë peng i Kurtit dhe Vuçiç-it


Driton Selmanaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se “dy shoqëritë, edhe ajo në Kosovë edhe ajo në Serbi, janë peng i dy personaliteteve, dhe këta janë Aleksandër Vuçiç, dhe Albin Kurti”.

“Të dyja këto personalitete po e shfrytëzojnë Veriun e Kosovës sa herë që telashe të brendshme politike, sa herë që pozita e tyre nuk është e mirë ose e favorshme brenda vendit”.

“Sa herë që Kurti kupton që diçka me sondazhe nuk po i funksion mirë, atëherë i nis njësitet speciale në Veri, dhe nga ana tjetër Vuçiç-i e nis ushtrinë me skena të filmave në kufi me Kosovën”, tha Selmanaj.

Pas gjithë kësaj, ai theksoi se “dalin akterët ndërkombëtarë, ne këtu flasim poshtë lart, dhe në fund ku është problemi, askund hiq; e vuajmë ne si shoqëri”.

“A ka politikanë shqiptarë më tregoni ju mua që nuk ka interes shtrirjen e sovranitetit, unë mendoj se s’ka. Problemin gjithmonë e kemi pasur se si duhet ta bëjmë këtë”, shtoi ai.

Ndërkaq, Selmanaj i tha deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjithë zërave mbështetës të Kurtit se “jeni munduar që ta kamufloni frymën antiamerikane që e ka Kurti”, por se potencoi se një gjë e tillë është e pamundur.

“Por kur t’i thuash Sekretarit Amerikan të Shtetit naiv, kur dy kryetarët e komunave Veriore nga radhët e Vetëvendosjes nuk i lejon që të shkojnë ta takojnë ambasadorin amerikan, unë kam filluar që të bindem tani që qasja e Albinit kundër Amerikës është ideologjike”.

“Jo taktik politike, është ideologjike, është bindje”.

Tutje, ish-zëvendëskryeministri beson se “raporti jonë me ShBA-të është ekzistencial”, duke shtuar se “është hera e dytë që kemi sanksione nga Amerika”.

E gjithë situata që u krijua në Veri të Kosovës, Selmanaj beson që ka pasur një përfundim të keq për Kosovën.

“Cili është përfundimi këtu? Pa aleatë, përfshirë edhe Shqipëria na ka dalë kundër në këtë temë, pa sovranitet, dhe për fatin e keq edhe me një marrëveshje të dëmshme të Ohrit”.

Deputeti i LDK-së theksoi se këto veprime të Kurtit “unë po i shoh kështu: Po dëshiron që ta legjitimojë marrëveshjen e dëmshme të Ohrit”, e dakorduar me 18 mars në mes të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Po dëshiron që t’i jap të drejtë vetës kur ta fillon ta zbatojë atë”, pohoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore