Lajme

Selmanaj, Haxhiut: Fatkeqësisht lidhje nuk keni me drejtësi


Driton Selmanaj dhe Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në seancën e jashtëzakonshme ka kërkuar nga deputetët që të mos drejtojnë akuza ndaj Qeverisë për kërcënime të prokurorëve e ndikim në prokurori.

“Ju e dini shumë mirë për çka përkushtohet Qeveria Kurti, neve na duhet një kryeprokuror i guximshëm që nuk e ka bishtin e zënë me derë që nuk i shërben individëve, që nuk i shërben grupeve të interesit. Mirëpo, i shërben ligjit, mandatit të tij dhe Kushtetutës së Kosovës”.

“Mandati i kryeprokurorit të Shtetit është 7 vjet, janë shumë nuk mundemi edhe 7 vjet të qëndrojmë me një kryeprokuror që nuk ka integritet profesional, pra që është i paaftë që nuk njihet për asnjë lëndë mirë të adresuar”, tha Haxhiu.

Teksa ka shtuar se ka përshtypjen që Kosova “do të jetë shtet i së drejtës që e don pavarësinë dhe llogaridhënien”.

Ministrja, tutje ka përmendur edhe dënimin që po kërkojnë opozita duke i thënë se për këto vepra nuk mund të jepet një dënim i tillë.

“Teksa ju dëgjoja juve në Kuvend tash por jo vetëm, e kam përshtypjen se ju e dini shumë mirë që aj nuk është i përfshirë në atë se çfarë thoni, prandaj dhe dëshironi ta bëni gjyqin në Kuvendin e Republikës së Kosovës me shpall aktgjykim dënues në Kuvendin e Kosovës”.

“Dënim me burgim të përjetshëm në Kosovë s’ka, por për këto vepra ky dënim nuk jepet. Mirëpo, jepjani një dënim të tillë, meqë po keni dëshirë”.

Për këto deklarata Haxhiut, i reagoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

“Është thënë vazhdimisht që politika duhet të jetë larg sistemit prokurorial, qasja e ministres dhe kryeministrit është si në Korenë e Veriut e si në Kubë, ju dëshironi ta instaloni kulturën e tillë por nuk do të mundeni”.

“Kryeprokurori duhet të zgjidhet gjithmonë kundër vullnetit të kryeministrit, kundër vullnetit të kryeparlamentarit, kundër politikanëve. Nuk duhet politikanët të kenë vullnet të zgjedhin një kryeprokuror, por duhet të jetë e kundërta”.

“Të jetë një njëri profesional që i shkon në zyre kryeministrit, kryeparlamentarit e kësaj ministre që lidhje nuk ka me drejtësi fatkeqësisht, sa herë që ata vlerësojnë që ka abuzime dhe ka aktivitet kriminal, kësi kryeprokurori i duhet Kosovës”.

Më pas Konjufca ka ndërhyrë duke thënë se, “ku ta gjejmë se?”.

Sipas Selmanaj, nuk do të jetë e habitshme nëse do e shohim edhe Haxhiun të burgosur duke u bazuar në mbrojtjen që po ja bon drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Mënyra se si ju po e mbroni zonja ministre Nagip Krasniqin, nuk është çudi nëse edhe juve do ju shohim prapa grilave”.

Të mërkurën e 19 prillit, Krasniqi u arrestua nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore