Lajme

Selakoviç i kërkon OSBE-së të mundësojë votimin e serbëve në Kosovë në zgjedhjet presidenciale më 3 prill


Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç, ka takuar shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç, ka takuar shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, të cilit i ka kërkuar që me asistencën e tyre, OSBE të mundësojë që serbët të votojnë në zgjedhjet presidenciale serbe të 3 prillit.

Selakoviç tha se pozicioni i Kosovës është i “papranueshëm” për serbët ndaj Referendumit të 16 janarit për ndryshime kushtetuese, për të cilën u shpreh se “është restriksion ndaj të drejtave bazike të serbëve në Kosovë”.

Kryediplomati serb për dialogn Kosovë-Serbi nën lehtësimin e BE-së e quajti “të vetmen mënyrë për të arritur zgjidhje”, por se, sipas tij, “Prishtina nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjet e kaluara”.

“Me veprimet e njëanshme ata e bëjnë dialogun më të vështirë”, ka deklaruar Selakoviç, transmeton Kosovo-online.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, ka thënë se “serbët do të votojnë në Kosovë”, dhe jo vetëm në Veri, “por në tërë Kosovën”.

Sipas tij, “nëse ka njerëz të zgjuar në Kosovë, do ta kuptojnë këtë”, ndërsa në kundërtēn, u shpreh se do të kishte “pasoja të paparashikueshme” në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kuvendi i Kosovës më 15 janar ka miratuar rezolutë që ndalon një shtet tjetër të mbajë zgjedhje brenda territorit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se i njëjti parim vlen edhe për zgjedhjet presidenciale serbe që mbahen me 3 prill në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore