Lajme

“Seanca maratonike e kuvendit për marrëveshjen e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”


Kuvendi i Republikës së Kosovës

Rreth orës 02:20 të mëngjesit të së premtes ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës. Në seancën e cila nisin në ora 10 të enjten, për 26 orë, me dy ndërprerje 2-3 orëshe, deputetët e kësaj legjislature, kryesisht të opozitës, debatuan për Propozimin evropian për Normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Seanca nisi pa prezencën e Kryeministrit. Deputetët e opozitës filluan të shtronin pyetjet e tyre rreth paqartësive të nxjerra nga dokumenti i kësaj marrëveshje të cilën e publikoi zyrtarisht vetë Bashkimi Evropian, pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel.

Me kërkesë të opozitës, kryeministri u ftua në seancë. Nga ora 16:00 të enjten, për disa orë rresht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti elaboroi cështjen e marrëveshjes të propozuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin ai kishte deklaruar paraprakisht se ishte dakorduar ta nënshkruante, por që vetë presidenti Serb, Aleksandar Vucçiç kishte refuzuar.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti i është përgjigjur kritikave të qeverisë për Propozimin evropian, gjersa nga opozita theksuan se ka degradim të procesit, nga marrëveshje me njohje në qendër, në marrëveshje me Asociacion në qendër.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj gjatë seancës ia ka përmendur kryeministrit shprehjen për demarkacionin që dikurë vet ai ia kishte thënë, Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

“Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun”.

Selmanaj u shpreh se nuk i beson Kurtit në marrëveshjen që ka pranuar ta nënshkruaj, të propozuar nga BE, duke i përmendur edhe gjashtë kushtet për Asociacionin.

“Unë do ta përfundoj fjalinë time me një fjali të kryeministrit që më pat lënë shumë përshtypje dhe më pati pëlqyer shumë ‘Çakorri, Çakorri, Zhlepi, Zhlepi, tap kryeministër tha e lëshoi bajrakun’. E unë po ju them sot në gjuhën e tij ‘Zajednica, Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoi bajrakun’”, është shprehur Selmanaj.

E lidhur me kritikat ka reaguar edhe i pari i ekzekutivit, duke se nuk ka ndryshuar për të keq, porse siç ka thënë ai “opozita po sheh ndryshe tash”.

Lumir Abdixhiku e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke e quajtur edhe mashtrues, derisa i ka kërkuar të flas konkretisht e të mos tregojë përralla.

“Tregimet në orët e vona bëhen të rrezikshme, sepse shndërrohen në përrallë. Sapo e pamë një përrallë mbi atë se Kurti nuk ka ndryshuar”, tha Abdixhiku.

Kurtin e ka kritikuar edhe deputetja, Ganimete Musliu, duke e quajtur frikacak dhe njeri që iku nga lufta.

“Ti je tutë edhe në luftë, e din. Të kanë thanë merr armën, lufto, por ke ikë. Ke thonë ‘po shkoj deri në Prishtinë njëherë’. Je tutë, ke ikë, sot sillesh veteran i mercenar. Për ty s’është dialogu priroritet, sepse s’e ke prioritet Kosovën. Ti e ke dost Vuçiç’in, atij i zgërdhihesh”.

Në seancën e natës, duke përmendur emrat e deputetëve që kanë votuar për formimin e Asociacionit më 2013, Kurti ka thënë se qëndrimet e tyre tash tregojnë se ata po shohin me sy të tjerë.

“Unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Konkretisht këtu sulmet që i përjetova, këta deputetë me datën 27 qershor 2013 e kanë votuar Zajednicën. Pra, e kuptoni, d.m.th bëhet fjalë për deputetë që e kanë votuar, por tash më kritikojnë mua, sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht”.

“Mua asgjë sikurse trashëgimia e ish-qeverive nuk më ka ndihmuar të ndryshoj strategjinë… Në këtë dialogun që po e zhvilloj, problemin më të madh e kam kur trashëgimia e ish-qeverive është argument i armikut”, tha Kurti.

Duke folur për Asociacionin, kreu i ekzekutivit tha se “Zajednica nuk kalon”.

Në mbrojtje të Qeverisë doli edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se opozita aktuale dikur kishte thënë se Serbia nuk njeh Kosovën pa i dhënë diçka.

Në seancën e natës për dialogun e cila me kryeministrin prezent filloi nga ora 22:00, Murati shtoi se të njëjtit deputet të opozitës që dikur ishin në qeverisje e kanë sjellë vendin në humnerë.

Për takimin e së hënës së 27 shkurtit, të nivelit të lartë në Bruksel, Murati tha se kjo marrëveshje është një hap tutje dhe shumë e rëndësishme drejt epilogut të mirë me Serbinë.

Ndërkaq, kritika për Propozimin evropian gjatë orëve të natës pati edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ai theksoi se Kurti pranoi me shkrim dhe me gojë se statusi i Kosovës mbetet çështje e hapur.

“Asnjë grup negociator i Kosovës në këto 15 vitet e fundit nuk ka pranuar me shkrim apo gojë që statusi i Kosovës është çështje e hapur. Kurti pranoi neutralitetin e statusit të Kosovës”, tha ai.

E deputeti tjetër nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj theksoi se pika 7 është shtatë herë më e rëndë se të gjitha marrëveshjet e deritanishme.

“Në pikën 7 të kësaj marrëveshje thuhet se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“Dil e trego Kryeministër a i ke dhënë eksterritorialitet Kishës Ortodokse serbe. A jeni të vetëdijshëm se nëse fëmijët tanë dëshirojnë ta vizitojnë natyrën e bukur rreth Manastirit të Deçanit, duhet të shkojnë me pasaporta?”, ka deklaruar tutje Zemaj.

Por, nga të gjitha elaborimet e deputetëve të opozitës në këtë seancë për marrëveshjen e cila sjellë normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kritikën më konkrete e kishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Në pjesën e parë të diskutimt në kuvend, të enjten pasdite, Gashi i kërkoi kryeministrit të jetë më syçelë në marrëveshjen që ka pranuar ta nënshkruaj, pasi që me të, ai u ka siguruar autonomi serbëve, përmes Asociacionit.

Kurti, sipas Gashit, ose po tradhton vetë ose këshilltarët e dobët të tij e kanë çuar në tradhti, sepse ndryshe nuk shpjegohet gabimi që ka bërë kur ka pranuar Nenin 7 të Marrëveshjes, i cili serbëve të Kosovës, sipas deputetit, nuk ua jep Asociacionin por Autonominë.

Neni 7 thotë se “të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike në përputhje me interesa përkatëse të Këshillit të Evropës duke mbështetur në përvojat më të mira ekzistuese evropiane për të siguruar në nivel të duhur të vet menaxhimit të komunitetit serb në Kosovës dhe aftësitë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me qeverinë e Kosovës”.

“Kurti e citoi një konventë, unë Kurtit po i them në rastin më të mirë për të nuk ka këshilltarë, në rastin më të keq është duke e mashtruar kuvendin. Zotëri Kurti po të citoj nga Karta evropiane e vetëqeverisjes lokale e vitit 1985 ose e njohur ndryshe si Traktati 122. Është një instrument i këshillit të Evropës i cili krijon detyrime, dhe po të tregoj se ku e ke çelë derën ti që pas kësaj marrëveshje, kur të mërijmë te marrëveshja finale do të shkosh përtej asociacionit”, tha Gashi, duke shtuar se “kjo është bindje e palëkundur”.

Gashi ka vazhduar me leximin, ku të gjitha nenet nga kjo kartë nuk flasin për Asociacion, por për Autonomi.

“Neni 1: palët angazhohen që ta konsiderojnë njëra tjetrën si të lidhura me nenet që vijojnë sipas mënyrës dhe masës së udhëzuar në nenin 12 të kësaj karte.  Veç emrat e neneve po i lexoj, jo përmbajtjen. Neni 2: Themelimi kushtetues së autonomisë vendore. Koncepti i autonomisë vendore, Rëndësia e autonomisë vendore është neni 4. Neni 5: Mbrojtja e kufijve territorialë të bashkësive vendore. Neni 6: Përshtatja e strukturave dhe mjeteve administrative dhe misioneve të bashkësisë vendore. Neni 7: Kushtet e ushtrimit të përgjegjësisë në nivelin vendor. Neni 8: Kontrolli administrativ i bashkësive vendore. Neni 9: Burimet financiare të bashkësive vendore. Neni 10: E drejta e asociacionit të bashkësive vendore. Neni 11: Mbrojta ligjore e autonomisë vendore dhe pjesa e dytë neni 12 që thotë ‘angazhimet’. Këtu ka me i lindë problemi Kosovës, te angazhimet”, pohoi Gashi.

“Tash po ta sqaroi pak ma shumë se çka është kjo”, i tha Gashi Kurtit.

“Ne në mënyrë unilaterale e kemi transponuar dhe e kemi bërë pjesë të së drejtës së brendshme përmes ligjit për vetëqeverisje lokale, kartën evropiane të vetëqeverisjes lokale dhe i kemi përcaktuar se sa nivele të vetëqeverisjes i kemi. Nivelin lokal dhe nivelin qendror. E kemi mbyll njëherë këtë temë. Dhe kemi mbërri te asociacioni. Meqenëse e kemi mbyllë me ligjin për vetëqeverisje lokale i cili e parasheh kushtetuta e republikës së Kosovës si ligj i rëndësisë vitale, është vendimi i gjykatës kushtetuese që thotë marrëveshja e vitit 2015 mund të jetë në kundërshtim me kushtetutën, tash çka ke bë ti: Në momentin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në momentin që Kosova i dërgon instrumentet e anëtarësimit në këtë kartë, do të detyrohesh të shkosh përtej, do të detyrohesh të krijosh nivelin e tretë të vetëqeverisjes, sepse me nenin 7 ja ke dhanë”.

“Problemi është neni 7 nuk është asociacioni, i ke çelë derën e problemeve për të paktën 10 vitet e ardhshme për Kosovën. Zotëri Kurti do ta kuptosh se ose të kanë qitë në lajthitje ose e ke qitë Kuvendin në lajthitje. Njëra prej këtyre të dyjave”.

“Nëse të kanë qitë në lajthitje, thirri ata këshilltarë që të kanë thënë që është vetëm një dokument, vetëm një konventë dhe shkarkoje e ndjeki penalisht se të kanë shti drejt një momenti të tradhtisë kombëtare. Nuk po them që e ke bo ti, po mundohem me qenë konstruktiv dhe ndihmues”, tha Gashi.

“Karta evropiane e vetëqeverisjes lokale, traktati 122 e 15 tetorit të vitit 1985 i parasheh këto instrumente dhe shiheni nenin 12 ku i dërgon instrumentet e anëtarësimit, se çfarë përgjegjësish ke me marrë. E ke çelë derën me nenin 7 për vetmenaxhim. Na trego se çka nënkupton një marrëveshjen që e ke nënshkruar – vetë-menaxhim për serbët e Kosovës. Çka nënkupton vet menaxhimi?”.

“Çka është kanali special për serbët e Kosovës, çka është ai kanal? Ku depërton ajo? Çka është status special për kishën serbe në Kosovë? Çka është?”, ka kërkuar përgjigje Gashi.

“Ju lutem shihe në këndin e kartës evropiane për vetëqeverisje lokale neni 12 dhe shihe çka keni bërë. Aty do ta shohësh se çka do të thotë vet menaxhim, aty do ta shohësh se çka do të thotë linjë e veçantë e komunikimit me komunitetin serb në Kosovë. Dhe aty do ta shohësh se çka do të thotë për kishën ortodokse serbe në Kosovë”, përfundoi deputeti i LDK-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore