Kosova

Kurti, Opozitës: Më keni lënë trashëgimi të keqe, më detyruat të bëhem strategjik – po ndjehem i vetmuar


Albin Kurti

Në minutat e parë të orës së parë të së premtes, kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit që ka vazhduar në orën 22:00, ka komentuar kritikat e opozitës, duke iu thënë atyre se nuk po i adresojnë shkeljet e Serbisë, por po merren me “Asociacionin” që e kërkon presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“A po e kuptoni pse po ndjehem vetë”, tha Kurti, “nuk do të duhej”.

Ai pohoi se “koncepti dhe qëllimi” i tij “s’ka ndryshuar”, por “strategjia natyrisht”.

“Edhe ajo në masë të madhe për shkak të trashëgimisë së ish-qeverive. Mua asgjë pos asaj trashëgimie s’më ka detyruar më shumë të bëhem strategjik. T’iu them të drejtën në dialog nuk kam vështirësi jashtë trashëgimive të ish-qeverive. Vështirësitë më të mëdha i kam kur trashëgimia e ish-qeverive është argument i kundërshtarëve të mi”, pohoi Kurti.

Sa për deputetët që tash po e kritikojnë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti u tha se ishin vetë ata që e votuan.

“Unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Konkretisht këtu sulmet që i përjetova, këta deputetë me datën 27 qershor 2013 e kanë votuar Zajednicën. Pra, e kuptoni, d.m.th bëhet fjalë për deputetë që e kanë votuar, por tash më kritikojnë mua, sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht”.

“Me fjalë të tjera, edhe ky ndryshim i përjetuar edhe ky është rezultat i Vetëvendosjes. Me fjalë të tjera, nuk kam ndryshuar unë po sytë e juaj, ju po shikoni ndryshe dhe ky është kontribut i joni. Është pasojë e Vetëvendosjes direkt”.

Gjithsesi, për rreziqet që deputetët paralajmëruan, tha se i falënderon.

“I marr seriozisht shumë, i kam shënjuar me dorë se ashtu i mbaj mend më mirë. Rreziqet nga Serbia nuk bëhen, sepse jam unë në dialog, nuk i lejoj”.

Sa për Asociacionin, kryeministri sërish deklaroi se ai “nuk kalon”.

“Asociacioni ka bërë dëme të mëdha, edhe pa u realizuar, lër me ‘larg qoftë’ po të realizohej. Asociacioni mono-etnik nuk lejon as pluralizëm politik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore