Lajme

S’e kuptoj pse ndërkombëtarët ishin kundër korrigjimit të kufijve, thotë profesori britanik


James Ker-Lindsay

15 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 10 vjet pas Marrëveshjes së Brukselit zgjidhja përfundimtare e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket të jetë një qëllim i largët.

Kështu të paktën mendon, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër dhe një ekspert i njohur i konflikteve etnike me ekspertizë në Evropën Juglindore.

“Duke pasur parasysh se po i afrohemi 15 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, shumica e vëzhguesve do të kishin menduar se deri tani, në një mënyrë apo tjetër, do të kishim pasur një lloj zgjidhjeje përfundimtare – ose të paktën një zgjidhje që palët mund të jetojnë me një marrëveshje përfundimtare në pritje. Dhe sigurisht, ajo që kemi parë është se 10 vitet e fundit kanë qenë zhgënjyese. Sot, rajoni po kalon nga një krizë në tjetrën”, ka thënë Lindsay në një intervistë për portalin e lajmeve European Western Balkans.

Propozimi franko-gjerman i cili bazohet në Modelin e dy Gjermanive, sipas profesorit Lindsay, është thjesht i pakuptueshëm në kontekstin se si i njëjti mund të funksionojë.

“Ky model do të bënte që Serbia të thoshte se e pranon ta ketë Kosovën në Kombet e Bashkuara por nuk do ta njohë. Sinqerisht, kjo nuk ka asnjë vlerë për Serbinë. Serbia do të ishte më mirë të pranonte pavarësinë e Kosovës sesa të pranonte një model që e sheh Kosovën të njohur nga pjesa tjetër e botës, përveç Serbisë. Kjo thjesht do ta bënte Serbinë të dukej shumë e imët dhe mjaft budallaqe”, argumenton më tej ai.

Lindsay beson se në horizont janë dy opsione përmes së cilës mund të përfundojë çështja mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilave Beogradi e njehë Kosovën si shtet.

E para, thotë Lindsay, është opsioni i korrigjimit të kufijve.

Kjo sipas tij mund të bëhet zyrtarisht me një demarkacion të rënë dakord të kufirit ose përmes modelit të Irlandës së Veriut.

“Kjo është ajo ku Kosova e Veriut bie nën kontrollin e Serbisë, dhe të gjithë pranojnë se ky është realiteti në terren dhe pastaj në një moment ata arrijnë njëfarë marrëveshjeje për të. Jo domosdoshmërisht mënyra e rregullt për ta bërë këtë – dhe mendoj se një marrëveshje formale do të kishte shumë më kuptim – por është një mënyrë”, shton ai.

Për Lindsay nëse opsioni i korrigjimit të kufijve nuk pranohet nga palët atëherë alternativa e saj do të duhet të jetë një lloj aranzhimi i autonomisë për serbët e Kosovës.

“Ka zëra që duan të parandoalojnë të dyja opsionet. Ka nga ata që thonë se ‘ne nuk mund të kemi asnjë lloj të korrigjimit të kufijve’. Në rregull, atëherë le të shohim këtë opsion që do t’u japë serbëve autonomi kuptimplote brenda Kosovës dhe që mund të jetë diçka që Beogradi është i gatshëm ta pranojë. Por, më pas këta njerëz fillojnë të këmbëngulin se është antikushtetuese. Duket se ata thjesht nuk janë të interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme”, shton ai.

Lindsay më tej thotë se nuk e ka pasur të qartë pse bashkësia ndërkombëtare ka qenë fuqishëm kundër korrigjimit të kufijve, pasi sipas tij, nuk ka asgjë në të drejtën ndërkombëtare që e pengon këtë.

“Duke pasur parasysh anomalinë e krijuar nga pavarësia e njëanshme e Kosovës, një zgjidhje e miratuar reciprokisht midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte në fakt shumë më stabilizuese, jo vetëm në Ballkan, por në botë më gjerë”, shton ai.

Një ish-diplomat i rangut të lartë, shton më tej Lindsay, e ka përshkruar opsionin e korrigjimit të kufijve si një ide, koha e së cilës nuk kishte ardhur ende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore