Kosova

Schneeberger: Serbët në Veri të Kosovës s’kanë nevojë t’i mbrojë Vuçiç-i, por të mbrohen nga ai


Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger.

“Serbët në Veri të Kosovës nuk kanë nevojë t’i mbrojë [Aleksandër] Vuçiç-i, por të mbrohen nga Vuçiç-i”, ka thënë këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, pas konfiskimit të një sasie të madhe të armëve dhe fishekëve këtë të marte në Zveçan.

Në shkrimin e saj në rrjetin social X, Schneeberger, ka reaguar edhe ndaj paralajmërimit të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili tha se njëra ndër masat që mund të merret ndaj Kosovës nëse ajo “nuk sillet me përgjegjësi” në procesin e dialogut është edhe shqyrtimi i regjimit të vizave.

Schneeberger, i ka thënë presidentit Macron se “edhe një herë provokatori i vërtetë nuk adresohet qëllimisht”, duke iu referuar presidentit serb Vuçiç.

“I nderuar zoti Macron, një kujtesë edhe për ju: zbatimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër krimit është një forcimi i qëndrueshëm i demokracisë në Evropë”, ka shkruar ajo në X.

“Po”, pohon ajo, “është një provokim – për të gjithë kriminelët dhe veçanërisht për Vuçiç-in, i cili është provokatori shkaktar”.

Këshilltarja lokale e BE-së thekson se Vuçiç duke i përkrahur bandat kriminale në Veri të Kosovës, ai “nuk po i mbron serbët në Kosovë”, por po i vë “në rrezik ata dhe të gjithë njerëzit që jetojnë në Veri”.

Këtë të marte, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë konfiskuar një sasi e madhe armatimit dhe fishekëve në një shtëpi në Zveçan.

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Kreu i MPB-së ka treguar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

“Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës”.

Sveçla: Në Veri janë konfiskuar armë e municion, rendi dhe ligji s’do të cenohet në asnjë cep të vendit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore