Lajme

Schmidt: S’shoh rrezik të luftës mes Kosovës dhe Serbisë


Christian Schmidt

Përfaqësuesit i lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, në një intervistë për portalin e lajmeve “T-Online” në gjuhën gjermane, ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi dhe potencialitetit të shpërthimit të konfliktit më të gjërë pas ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Schmidt, ndonëse ka theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të përdorë ndikimin e tij në Serbi për të destabilizuar Evropën, ka shtuar se gjasat për shpërthimin e një lufte janë pothuajse minimale, teksa ka kujtuar se trupat e NATO-s janë të vendosur në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës (KFOR) pikërisht për të parandaluar ngjitjen drejt ekstremeve.

“Kjo përshtatet në librin e lojërave të Putinit dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë ndaj problemeve dhe krizave aktuale. Megjithatë, aktualisht nuk shoh ndonjë rrezik të madh të një lufte ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. KFOR-i është në Kosovë dhe NATO ka rreth 5000 ushtarë në vend për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm”.

Kur është pyetur për mungesën e rezultateve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), diplomati gjerman ka potencuar se konflikti aktuat është më shumë një çështje e brendshme politike në Serbi sesa një krizë e politikës së jashtme të bashkësisë ndërkombëtare.

“Kjo është një pyetje e vështirë. Mendoj se konflikti aktual do të jetë më shumë një çështje e brendshme politike në Serbi sesa një krizë e politikës së jashtme. Është e vështirë të imagjinohet në Perëndim, por nuk duhet harruar se në Beograd ka një opozitë që është edhe më nacionaliste se qeveria. Mënyra se si do të merret Vuçiçi do të jetë vendimtare”.

Raundi i fundit i negociatave diplomatike nën kujdesin e BE-së mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka përfunduar me pozicione të acaruara. Dhe, derisa diplomatët evropianë po bëjnë përpjekje për të mos e humbur kontrollin, vëzhguesit kanë ngritur shqetësimin se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijë pikën e tij kulmore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore