Lajme

SBASHK-u u kërkon partive opozitare që ta dërgojnë Ligjin për Skemat Pensionale në Kushtetuese


SBASHK-u dhe Abelard Tahiri

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, këtë të premte, ka kërkuar nga partitë në Kuvendin e Kosovës që të nisin iniciativën për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale, që sipas SBASHK-ut prek në të drejtën e fituar të punëtorëve të pensionuar të arsimit.

Kërkesën e tyre për dërgimi në Kushtetuese të Ligjit për Skemat Pensionale, SBASHK-u, u ka paraqitur Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë partitë e vetme që kanë pranuar kërkesën e kësaj sindikate për takim.

“Kërkesës së SBASHK-ut i janë përgjigjur këtë premte Abelard Tahiri dhe Driton Selmanaj. Rrahman Jasharaj bashkë me Ymer Ymeri dhe Blendor Shatri në takime të ndara u kanë ofruar argumente, duke i lutur që të analizojnë këto fakte dhe të nisin iniciativën për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe për të nisur debat në Parlament në mënyrë që të evitohen lëshimet në ndryshimet e bëra në Ligjin për skemat pensionale të financuar nga shteti dhe t’u kthehet e drejta e fituar punëtorëve të pensionuar nga arsimi”, shkruhet në njoftim.

SBASHK-u ka shprehur që të ketë takime edhe me partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje dhe partinë tjetër opozitare, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për të diskutuar të njëjtën çështje.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka potencuar se Qeveria e Kosovës në mungesë vullneti, përkundër gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese për të eliminuar diskriminimin e pensionistëve kontributdhënës me Ligjin e ri për Skemat Pensionale, ka bërë që mësimdhënësit e pensionuar, por edhe ata që do të pensionohen të kthehn në subjekte të diskriminimit pikërisht me këtë ligj.

“Qëllimi i ligjit do të duhej të ishte njohja e pensionit kontributdhënës për të gjithë personat që janë larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme (1989-1999), dhe jo anulimi i kësaj të drejte të punësuarve në arsim, të cilët veçse e kanë gëzuar në bazë të ligjit të miratuar 10 vite më parë për Skemat Pensionale, por edhe ligjit në fuqi për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip 1990/99”, ka shkruar Tahiri në platformën sociale në Facebook pas takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore