Lajme

SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme në shtator


SBASHK-u.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka njoftuar sërish që Qeveria aktuale nuk po i merr parasysh kërkesat për të dialoguar, ndërsa ka paralajmëruar “reagime të forta sindikale”.

Përmes një komunikate për media, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se të gjitha institucionet shkollore, administratat në komuna, por edhe të punësuarit e tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme nga shtatori.

Kjo grevë paralajmërohet të zgjas deri sa, “Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptojë se duhet të ulet me sindikatat të gjejë zgjidhje”.

“Qeveria Kurti pa shkuar nëpër pushime duhet t’i vë gishtin kokës sepse çmimet kanë shkuar deri në qiell e pagat kanë mbetur në tokë. Qeveria as nuk po ngrit pagat, as nuk po fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton ato për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave. Qeveria po sillet se vetëm Kurti e Murati ekzistojnë në këtë nënqiellin e Kosovës”, ka thënë Jasharaj.

Rrahman Jasharaj.

Ai potencoi se Qeverisë i janë dërguar letra e ndërmjetësues ligjor për t’u takuar, por që kryeministri nuk ka pranuar.

“I dërguan edhe ndërmjetësuesin ligjor për dialog, që i ngjason atij plakut pleqnar në kohët e Kanunit kur përplaseshin dy fise dhe ata, edhe pse nuk kishin shumë shkollë e nuk kishin lexuar shumë libra sa Albini, pranonin pleqnarët dhe uleshin për të gjetur zgjidhje”.

“Kurtit, Muratit e disa qeveritarëve të tjerë nuk u kanë lënë përshtypje gjithë këto angazhime të sindikatave e as ky pleqnari bashkëkohor e ligjor dhe në këtë mënyrë ata duke mos ndjerë nevojë as të deklarohen sepse vota e madhe e popullit ua ka trullosur kokën dhe mendjen, po thonë se nuk japim as pesë para për sindikatat dhe të tjerët”.

Kërkesë e sindikatës së Arsimit ka qenë tash e sa muaj që në Ligjin e Pagave të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk ka lejuar zhvillimin e procesit mësimor të premten e 20 majit, si pasojë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit”.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut për protestën.

Protestuesit janë duke u mbledhur për të marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku do të zhvillohen edhe fjalime nga krerët sindikalë.

Edhe, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një reagimi të premten e 20 majit ka vlerësuar se fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Sipas tyre, prindërit dhe nxënësit janë duke paguar faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore