Lajme

SBASHK-u kërkon që të mërkurën ora e parë mësimore t’i kushtohet Ukrainës


Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar që me 2 mars të mërkurën ora e parë mësimore në të gjitha shkollat t’i kushtohet Ukrainës.

Kjo është bërë e ditur nga një njoftim i SBASHK-ut, në të cilin thuhet se kjo duhet të ndodhë në shenjë solidariteti me Ukrainën.

“Duke shprehur brengën e agresionit rus në Ukrainë e duke u solidarizuar me sindikatat e arsimit të Ukrainës dhe popullin ukrainas sikurse edhe EI, ETUCE e shumë sindikata tjera, apelojmë te ju që dita e nesërme 2 mars 2022 (e mërkurë), ora e parë mësimore në të gjitha ndërrimet t’i kushtohet Ukrainës me aktivitete me nxënës në shenjë solidariteti me ta e njëkohësisht edhe dënimin e agresionit rus në Ukrainë”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Tutje, SBASHK-u ka thënë se aktivitetet do të zhvillohen përmes paraqitjes me projektor flamurin ukrainas dhe të Kosovës.

Gjithashtu, “punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të shtetit të Ukrainës dhe të shtetit tonë Kosovës”.

Ndryshe, Kosova, është duke planifikuar t’u ofrojë strehim deri në gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas të cilët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore