Përballje

Sassuolo e mposht Romën në “Olimpico”, zhgënjen Kumbulla


Pas dy fitoreve (ndaj Juventus-it në Serie A dhe ndaj Real Sociedad-it në Europa Leauge) Roma është deklasuar në shtëpi nga Sassuolo, duke u mposhtur me rezultat 3:4 në ndeshjen e javës së 26-të në Serie A.

Sassuolo befasuan me anë të Armand Lauriente, i cili i shënoi dy gola në minutat 13-të dhe 18-të, derisa kundërpërgjigjja e Romës erdhi në minutën e 26-të kur shënoi Nicola Zalewski.

Por, në momentin më të mirë të vendasve, u ndëshkua me karton të kuq mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla.

Në minutën e tretë shtesë, Kumbulla bën një veprim antisportiv dhe gjyqtari kryesor pasi e rishikoi momentin në sistemin VAR, e ndëshkon shqiptarin me karton të kuq dhe sinjalizon për 11-metërsh në favor të Sassuolo-s, që shndërrohet në gol nga Domenico Berardi.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të mysafirëve, derisa në fillim të fraksionit të dytë, ndihmës trajneri i Romës, Salvatore Foti bëri dy zëvendësime, duke e inkuadruar në lojë edhe Paolo Dybala-n.

Ky i fundit realizoi vetëm pas pak minutash, që u duk se Roma do të rikthehej në lojë.

Por, ishte Andrea Pinamonti që i dha fund shpresës së vendasve, duke shënuar për 2:4 në minutën e 75-të, i asistuar nga autori i dy golave në pjesën e parë, Lauriente.

Krejt çka arritën kryeqytetasit, ishte goli i ngushtimit të epërsisë nga Georginio Wijnaldum, i cili shënoi për 3:4 në minutat shtesë.

Me këtë humbje, Roma tani mbetet në pozitën e pestë në tabelë (jashtë zonës Champions) me 47 pikë, aq sa ka edhe Milan-i i vendit të katërt, por kuqezinjtë kanë për ta zhvilluar edhe një ndeshje të kësaj jave, atë kundër Salernitana-s që do të luhet të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore