Lajme

Sarajevë, alarmi koronavirus: mesatarja ditore e vdekjeve, më e lartë sesa në rrethimin e viteve ‘90-të


Bosnja është e fundit në Ballkan për numrin e vaksinimeve dhe e detyruar të poshtërohet, duke i kërkuar ndihmë presidentit serb Vuçiç, ish-zëdhënës i Millosheviçit.

Evropianët nuk bëjnë dot krahasime me luftën, pasi nuk e kanë provuar atë. Kurse, banorët e Sarajevës, po!

“Ku është Smajli?! E pritën atje te topi, ndaj të ngrysur ditën e parë të Ramazanit. Për një çerek shekulli, në orën 8 të mbrëmjes, Smajl Kriviç vë në kokë fesin, ngjitet në Kalanë e Verdhë mbi Sarajevë, mbush topin me një predhë boshe, dhe bum! Mbyllni veshët, sepse është ai që e çel gjithmonë muajin e agjërimit. Ku është Smajli?! Këtë herë, e para që nga përfundimi i luftës, ai nuk u bë i gjallë. E qëroi virusi!

Po Sidrani? A ju kujtohet Abdullah Sidrani? Mos u lodhni ta telefoni: skenaristi kandidat për Oskar është i shtruar në spital… mezi përgjigjet me një fije zëri. Mbrëmë televizori po jepte kryeveprën e tij ‘A e mbani mend Dolly Bell?’, dhe ai s’kishte fuqi as ta shikonte.

Po Mirza Nodiç? Gjithë jetën ka shitur këpucë pas katedrales, madje edhe kur serbët hidhnin granata, por sot e mbylli: e uli qepenin dhe e çoi të gjithë familjen në Serbi për t’u vaksinuar”.

Boshnjakët janë mish për top.

Dhe ne, evropianët, të kapluar siç jemi nga ankthet pandemike, nuk kemi kohë të mendojmë për tragjedinë e tyre.

Dhe as për viktimat e Covid-19, në numër më keq se ato të luftës së vitit 1992: çdo ditë, në Sarajevë, vdesin mesatarisht më shumë njerëz nga epidemia (18.5), sesa ata që u vranë nga snajperët (3.8).

Pas Hungarisë, Bosnja është e dyta në botë në përqindjen e vdekjeve, për 100 mijë banorë.

Dhe, nëse rrethimi i koronavirusit do të zgjaste katër vjet, aq sa ai i Millosheviçit, me këtë ritëm do të kishim një spastrim tjetër etnik.

Paradoksi është që, sot, janë kryesisht serbët, ata që po shpëtojnë Bosnjën: duke dhuruar vaksina, si dhe duke i mirëpritur ish-armiqtë në Beograd për “t’i qëlluar” me… Pfizer dhe AstraZeneca.

Të merr malli për Sarajevën

Shtetrrethimi fillon në orën 9 të mbrëmjes, si në vitet ’90-të. Hani i Bashçarshijes është po njësoj, “i mbushur nga hiçi”, si atëherë kur plumbat na vërshëllenin mbi kokë.

Sigurisht, është më mirë se mbyllja totale e 2020-ës: tanimë disa xhami janë të hapura dhe, në këtë muaj Ramazani, familjet mund të mblidhen për të falur iftarin.

Por, “më duket sikur po shoh përsëri një film nga fillimi”, thotë 66-vjeçari Slobodan Kacuca, teksa ul maskën.

Dikur drejtor i “Holyday Inn” gjatë gjithë luftës, kur hoteli ishte shënjestër e snajperëve. “Nuk mendoja se do të shikoja sërish rrugë të shkreta dhe njerëz në radhë për bukë”, thotë ai.

Kushdo që ka një shtëpi në mal, e ka lënë me kohë qytetin.

Ne, evropianët, nuk bëjmë dot krahasime me luftën e vërtetë, sepse nuk e kemi provuar. Banorët e Sarajevës, po!

“Unë isha 40 vjeç kur binin bombat dhe dija ta përballoja krejt ndryshe situatën”, kujton poeti Marko Vesoviç.

“Dante thotë ‘se në luftë, njeriu di të përshtatet me të gjitha rrethanat’ dhe, në fakt, unë vazhdoja të dilja nga shtëpia. Kurse tani nuk mund të shkoj as deri në varreza, për t’i çuar lule gruas. S’ma ndjen fare për Covid-in! Jam mësuar ta marr vdekjen në sy. Por, e kuptoj se si ndihet një i ri. Nuk i fshihesh dot infeksionit, është si puna e bombës: po të ra, të ra…!”.

Në urat e Miljaçka-s, një banderolë bën thirrje: “Të luftojmë për jetën!”. Por në fakt, askush nuk lufton. Nuk ka rezistencë.

Vendi, i fundit në Ballkan për numrin e vaksinave

Nuk ka një ministër të Shëndetësisë, sepse Marrëveshja e Dejtonit (e vitit ’95) nuk e parashikon atë.

Që nga 2018-ta nuk ka një qeveri të vërtetë, sepse myslimanët, serbët dhe kroatët nuk bien në ujdi. Në kampet e refugjatëve, infektimet e sirianëve dhe afganëve janë jashtë kontrollit. Kryeministri Fadil Novaliç gjendet në syrin e ciklonit.

Ai po gjykohet për aferën 50 milionë euroshe të blerjes në Kinë të njëqind respiratorëve të rremë, të cilat pretendohet se shkaktuan vdekjen e shumë pacientëve. Nën akuzë është edhe rrjeti spitalor, i menaxhuar nga gruaja e liderit mysliman Izetbegoviç.

Gjendja nëpër spitale

Pacientët sajohen si të munden: në enklavën e Republika Serbe, vaksinat i bën doktoresha Karaxhiç, e bija e kriminelit të luftës, Radovan Karaxhiç; në Srebrenicë, gratë e veja marrin doza dhuratë nga Turqia.

Rrjetet sociale ziejnë plot mllef, për mrekullinë e vaksinimit në Serbinë fqinje dhe, sidomos, për shtrirjen poshtëruese të dorës ndaj kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç, ish-zëdhënës i Millosheviçit.

“Ne jetojmë me lëmoshë”, shpjegon Zlatko Dzidzarevic, publicist dhe diplomat.

“Covid-i”, thotë ai, “ka promovuar një klasë politike ambicioze që vendos fatin tonë, pa qenë në nivelin e duhur. Politikanët u vaksinuan për vete me ato pak doza që ishin, ndërsa të moshuarit presin në radhë. Unë jam ende në pritje. Dhe a e dini se kujt ia dhanë tenderin për respiratorët e famshëm kinezë? Një kompanie të specializuar në importin e mjedrave!”.

“Kjo është një qeveri e paaftë”, pajtohet ipeshkvi i Sarajevës, Pero Sudar: “Nuk ka asnjë plan emergjence”.

Ai duket se nuk ka shumë besim as te “ylli i ri në ngjitje”, Benjamina Kariç, 30-vjeçare, e para kryebashkiake femër e kryeqytetit.

“Unë nuk e njoh atë. Por e di që vjen nga një lojë pallati…”

Benjamina është tashmë si një flutur në ekspozitë, e kapur në stendë me gjilpëra. “Ata e zgjodhën atë në mënyrë që të mos zgjidhnin dikë si Bogiç Bogiceviç. Ai është serb, është trim dhe gjatë luftës i doli kundër Millosheviçit. Ai, po, do të kishte qenë një risi…”

Në rregull për vaksinën e dhuruar nga serbët, por jo… në këmbim të kryetarit të bashkisë!

Përshtatur për Corriere della Sera nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore