Kosova

Sanksionimi i Vulin-it, Joseph: ShBA-së i mjaftuan manipulimet masive dhe sharjet e Vuçiç-it, gjithçka ndryshoi pas krizës në Kosovë


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues në “John Hopkins University” dhe njohës i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”, duke komentuar sanksionimin e Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Aleksandër Vulin, nga Departamenti amerikan i Thesarit, ka thënë se këto sanksione janë një sinjal i qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës “nuk do të tolerojnë më manipulimet e mëdha të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç”.

Sipas profesorit amerikan, këto sanksione të ShBA-së ndaj Vulin-it erdhën edhe pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës, pasi që thotë ai kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u etiketua “si fajtor dhe ku zëra të rëndësishëm në Uashington vunë në dyshim fajin edhe në Beograd”.

“Tensionet tërhoqën vëmendjen ndaj politikës së ShBA-së ndaj Vuçiç-it dhe ngritën pyetje në nivele të larta. Mendoj se e gjithë kjo tregon se ka kufij për atë që qeveria serbe, apo çdo qeveri, mund të arrijë duke lobuar në Uashington”.

Sanksionimi i drejtorit të BIA-së, në vlerësimin e Joseph-it ishte i vonuar, megjithëse është, siç thotë ai, një hap i jashtëzakonshëm që dërgon një mesazh: “Kaluan ditët e përkëdheljeve të pafundme”, “Fillojnë ditët e përgjegjësisë”.

“Vulin ishte një figurë e dëmshme, e dënueshme në kaq shumë nivele për një kohë shumë të gjatë. Sulmet e tij ndaj SHBA-së datojnë të paktën në vitin 2014, kanë vazhduar edhe nën (Donald) Trump dhe janë përkeqësuar pas pushtimit rus të Ukrainës”.

“Së dyti, ky është një hap i jashtëzakonshëm për SHBA-në. Unë kam vite që kritikoj qëndrimin ‘nuk shoh të keqe’, që në fakt është qëndrimi i ShBA-së ndaj Vuçiç-it. Dhe tani qeveria amerikane akuzon zyrtarisht një bashkëpunëtor shumë të ngushtë të presidentit Vuçiç për një sërë të këqijash: tregti droge, ndihmë në tregtinë e armëve, korrupsion dhe, në tre mënyrat e përmendura, forcimin e pozitës së Rusisë”.

Së treti, pohon njohësi i çështjeve në Ballkan “besoj se vendimi për Vulin nuk është vetëm mesazh për presidentin Vuçiç, besoj se është mesazh brenda vetë qeverisë amerikane. Unë besoj se vendimi për Vulin pasqyron ndjenjën në nivele shumë të larta të administratës së Biden – Sekretarit Blinken dhe kolegëve në Shtëpinë e Bardhë – se ata nuk do të tolerojnë më manipulimin masiv nga Vuçiç”.

Ndërkaq, ai përmendi artikullin e të përditshmes amerikane “Foreign Policy”, ku thuhej se ​​“Shtetet e Bashkuara po krijojnë krizën në Kosovë”, për të cilin ai potencon se “u lexua dhe u debatua gjerësisht në Uashington”.

Në atë tekst veçanërisht përmendet roli i Vulin, ndërsa sipas Joseph artikulli “katalizoi ndjenjën në rritje tek disa në administratën e (Joe) Biden-it se ‘mjaft është mjaft’ me presidentin Vuçiç”.

“Duhet të kujtojmë rolin specifik që Vulin luajti për Vuçiqin. Siç thuhet në tekstin në Foreign Policy, Vulin është ‘alter ego’ e Vuçiçit – i cili thotë me zë të lartë atë që Vuçiq po mendonte dhe nuk donte të thoshte për të ruajtur këtë sharadë”.

Prandaj, thekson ai “besoj se vendimi për sanksionimin e Vulin-it dërgon këtë mesazh: “Kanë kaluar ditët e përkëdheljeve të pafundme ndaj sharadës së Vuçiç-it”; “Fillojnë ditët e përgjegjësisë”.

Tutje, profesori amerikan mendon se ka qëndrime të ndryshme në qeverinë amerikane dhe se po rritet ndërgjegjësimi për pozicionin “që unë e kam mbrojtur prej kohësh: Presidenti Vuçiç po manipulon SHBA-në dhe BE-në”.

“Unë besoj se faktorë të rëndësishëm në Uashington po zgjohen për shkak të kësaj, me vonesë. Mendoj se bisedimet janë intensifikuar kohët e fundit në administratën e Bidenit, siç e theksova më lart, veçanërisht pas krizës së fundit në Kosovë ku kryeministri Kurti u etiketua si fajtor dhe ku zëra të rëndësishëm në Uashington vunë në dyshim fajin edhe në Beograd”.

“Tensionet tërhoqën vëmendjen ndaj politikës së SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe ngritën pyetje në nivele të larta. Mendoj se e gjithë kjo tregon se ka kufij për atë që qeveria serbe, apo çdo qeveri, mund të arrijë duke lobuar në Uashington”, beson Joseph.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Thesarit, të martën e 11 korrikut, ka sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin.

Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Thesari Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.

“Vulin ka mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiç, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiç mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”.

Amerika sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulin-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore