Lajme

Sanchez akuzohet për njohjen e pasaportës së Kosovës: Dëmtoi pozicionin e Spanjës kundër lëvizjes seperatiste të Katalonjës


Pedro Sanchez

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës, rajon ky që prej kohësh synon shkëputjen dhe pavarësinë nga Spanja.

Vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportës kosovare, përkundër faktit se nuk e njeh pavarësinë, ndonëse shpesh tregohet konstuktive sa i përket proceseve integruse të Kosovës, ka hapur sërish çështjen e rebusit Kosovë-Katalonjë në politikën spanjolle. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, akuzohet nga forca kryesore politike për rrezikimin e shtetësisë spanjolle.

Në një artikull të gazetës spanjolle “ABC” të publikuar të dielën, njoftohet se Partia Popullore (PP) ka hedhur akuza në drejtim të ekzekutivit spanjoll nën udhëheqjen e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE), duke pretenduar se njohja e pasaportës së Kosovës hap dyert që cilido vend tjetër të pranojë ndonjë “pasaportë hipotetike katalonase” në të ardhmen.

“PP-ja fajëson kthesën e re që ka marrë qeveria e Sanchezit në politikën e jashtme, këtë herë duke pranuar pasaportat kosovare – diçka që e ka kundërshtuar vetëm nëntë muaj më parë – për varësinë që PSOE-ja ka nga Lëvizja për Katalonjën (Junts) për t’i shtyrë dekretet në legjislativin spanjoll”, ka raportuar mbrëmjen e së dielës gazeta spanjolle, duke cituar burimet.

“PP-ja e sheh si të mundshme që ndryshimi në lidhje me Kosovën të lidhet me një afrim me këtë shtet – i cili ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe nuk njihet zyrtarisht nga Spanja, për sa i përket votimeve të javës së ardhshme, kjo e bënë më të lehtë për Junts të ndryshojë pozicionin”, thuhet ndër të tjera në artikullin kushtuar përplasjeve për këtë çështje.

Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Spanjës (MPJ). në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të hënën, ka deklaruar se qytetarët kosovarë do të hasnin në telashe ta vizitonin ligjërisht shtetin spanjoll dhe vendet e tjera të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sikur të mos pajtoheshin për ta njohur pasaportën e zakonshme kosovare.

“Të gjitha shtetet e (zonës) Schengen që nuk e njohin (Kosovën) e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, theksoi zëdhënësja e diplomacisë spanjolle, derisa shtoi se Spanja do të vazhdojë ta mbështesë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së.

Nga katër vendet e tjera të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia), dy të parat nuk janë pjesë e zonës Schengen – për momentin janë në procesin e anëtarësimit – ndërsa dy të fundit janë pjesë përbërëse e zonës Schengen dhe njohin pasaportën kosovare. Kjo është arsyeja pse Spanja ka vendosur të ndryshojë qëndrim.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen për qëndrime afatshkurtëra, pas më shumë se një dekadë pritjeje, duke përmbyllur një proces normal për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por odiseadë për shtetin më të ri evropian. Vendimi për liberalizimin e vizave në zonën Shengen hyri në fuqi më 1 janar 2024.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda një periudhe gjashtë mujore – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore