Pajisje

Samsung-u emëron trashëgimtarin e dënuar në detyrën kryesore


Samsung-u, kompania koreano-jugore e elektronikës, ka emëruar trashëgimtarin e dënuar dhe shefin de facto Lee Jae-yong si kryetar ekzekutiv.

Tani, me këtë lëvizje, prodhuesi më i madh në botë i telefonave inteligjentë do të drejtohet zyrtarisht nga gjenerata e tretë e familjes së saj themeluese.

Lee, i cili u dënua për ryshfet dhe përvetësim në vitin 2017, iu dha një falje speciale presidenciale në gusht. Ai u burgos dy herë për ryshfet ndaj një ish-presidenti.

“Bordi përmendi mjedisin aktual të pasigurt të biznesit global dhe nevojën urgjente për një llogaridhënie më të fortë dhe stabilitet biznesi në miratimin e rekomandimit”, ka deklaruar kompania.

Sakaq, njoftimi zyrtarizon rolin që Lee e ka mbajtur që nga viti 2014. Ai e ka marrë detyrën pasi babai i tij, Lee Kun-hee, u shtrua në spital dhe më vonë ndërroi jetë në vitin 2020.

54-vjeçari ka qenë nënkryetar i Samsung Electronics, xhevahiri i konglomeratit më të madh të biznesit të Koresë së Jugut, që nga viti 2012.

Lee, në gusht të vitit të kaluar, u lirua nga një burg i Koresë së Jugut me kusht pasi kreu 207 ditë burg. Dhe ishte pak më shumë se gjysma e dënimit që mori pasi u dënua në janar.

Zyra e presidentit të atëhershëm Moon Jae-in, përmes një deklarate, ka thënë asokohe se lirimi i tij ishte bërë për interesin kombëtar dhe për këtë kërkoi mirëkuptim.

“Jemi të vetëdijshëm se ka pikëpamje mbështetëse dhe të kundërta për lirimin me kusht të nënkryetarit Jay Y Lee. Pikëpamjet e njerëzve që janë kundër janë gjithashtu të drejta”, ka thënë ai.

Ministria e atjeshme e Drejtësisë ka deklaruar në atë kohë se e mori vendimin për të liruar Lee pasi mori në konsideratë efektet e pandemisë në ekonominë e vendit dhe tregjet globale.

Po ashtu një vit më vonë, ai u fal nga presidenti i ri Yoon Suk-yeol.

Lee u shpall fajtor për ryshfet, përvetësim dhe fshehje të të ardhurave kriminale me vlerë rreth gjashtë milionë dollarë.

Rasti përfshinte ish-presidenten e vendit Park Guen-hye, e cila gjithashtu u burgos për ryshfet dhe korrupsion.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore