Lajme

Sadiku për gjendjen në Veri: Shqiptarët dhe serbët janë të shqetësuar e të lodhur, na duhet paqe


Skender Sadiku

Skender Sadiku nga Inciativa Qytetare Mitrovica, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë se Mitrovica e Veriut ka mbetur e traumatizuar që nga përfundimi i luftës së fundit dhe se qytetarët nga të dyja komunitetet – shqiptarë dhe serbë – janë të shqetësuar nga gjendja dramatike që krijohet vit pas viti.

Në një intervistë për mediumin opozitar serb “Danas”, Sadiku i cili është edhe zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, theksoi se gjendja e krijuar është pasojë e veprimeve të Listës Serbe e cila dirixhohet nga Beogradi.

“Dorën në zemër, kjo është përgjegjësi e Listës Serbe, kur bënte veprime politike, gjithçka ishte në rregull, por imagjinoni sulmin ndaj Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut. Kur fillon çmenduria, nuk keni nevojë të kërkoni kush e filloi i pari”. 

“Të gjithë jemi të lodhur dhe kërkojmë normalizim dhe të sillemi si qytetarë normalë e të qytetëruar. Me këto veprime bëhet e vështirë”.

Ai nënvizoi se në krahasim me atë që ka kaluar Mitrovica viteve të fundit, situata është e qetë aktualisht.

“Njerëzit kryejnë detyrat e tyre të përditshme, por veshët dhe sytë e tyre janë të kthyer nga Prishtina, Beogradi, SHBA-ja, Brukseli dhe presin”, potencoi ai duke shtuar se problemet lindin në mendjen e politikanëve, jo të qytetarëve të thjeshtë.

“Ne jemi zgjedhur për të mbrojtur qytetin, por jo në këtë mënyrë. Fatmirësisht nuk kemi përjetuar gjëra si partitë e djathta ekstreme dhe partitë fashiste, por kemi frikë se kjo do të kthehet në dhunë dhe në atë që përjetuam në vitin 2004 – në atë që po paguajmë moralisht dhe materialisht edhe sot e kësaj dite”.

“Çdo ditë prej 5-6 muajsh trokas në derë dhe bëj thirrje për paqe”, pohoi Sadiku teksa bëri apel për bashkëjetesë ndër-etnike.

“Kemi 23 vjet që jetojmë kështu dhe të gjithë janë të lodhur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore