Lajme

Sabri Tunç Angılı, ambasadori i ri i Turqisë në Kosovë


Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga Sabri Tunç Angılı, për të ushtruar detyrën e ambasadorit të Turqisë në Kosovë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, të cilit i ka uruar mirëseardhje”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, është njoftuar se presidentja Osmani ka biseduar me ambasadorin turk për marrëdhëniet në mes të dy shteteve, ndërsa ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që raportet bilaterale dhe bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare të intensifikohen edhe më tej.

“Njëkohësisht,  Presidentja Osmani ka folur edhe për tërmetet shkatërruese në Turqi, të cilat kanë shkaktuar mijëra viktima dhe në këtë kontekst ka theksuar se populli i Kosovës vazhdon të solidarizohet me popullin e Turqisë në këtë kohë sfiduese, teksa institucionet kosovare vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e autoriteteve turke për t’i tejkaluar pasojat e kësaj tragjedie”.

Ndërkaq, sipas njoftimit të presidencës temë e diskutimit mes Osmanit dhe ambasadorit ka qenë edhe bashkëpunimi ekonomik dhe mundësitë e bashkëpunimit në sfera të tjera që konsiderohen me interes nga të dyja vendet përkatëse.

“Në temën e zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet”.

Gjithashtu, potencohet se ambasadori turk ka ritheksuar mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.

 

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Paraardhës i Angılı-t ishte Çağrı Sakar. Ky i fundit ishte emëruar me dekret të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Çağrı Sakar, para se të merrte detyrën e ambasadorit në Kosovë ishte zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Departamentit për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme të Turqisë, shkruan Anadolu Agency.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore