Lajme

Sa po ndot COP28 në Dubai me 315 avionë privatë?


Teksa ditët kalojnë në Dubai, dyshimet rriten rreth asaj që duhet të jetë ngjarja më e rëndësishme e diplomacisë klimatike të vitit.

Asambleja e madhe për të shpëtuar planetin nga emergjenca klimatike duhet të gjejë zgjidhje, por duket se i përkeqëson problemet.

Vetëm shikoni radarin e avionëve që fluturuan mbi qiejt e Dubait gjatë fundjavës: qindra fluturime, veçanërisht avionë shtetërorë që bllokuan qiejt dhe ndotën atmosferën.

Një avion lëshon 9 deri në 11 herë më shumë gazra serë se një avion tradicional, 50 herë më shumë se një tren.

Kolonat e monitorimit të grimcave në Dubai regjistruan 155 mikrogramë për metër kub Pm 2.5 të shtunën, duke turbulluar qiellin midis pavioneve të Expo.

Qielli është gri mbi Dubai jo vetëm për shkak të avionëve, por edhe për shkak të afërsisë me termocentralin Jebel Ali me gaz.

Por ajo që ndot qytetin është transporti tokësor, i përbërë kryesisht nga makina me motorë të mëdhenj dhe sistemet e ftohjes.

Gjatë muajve më të nxehtë, energjia elektrike e nevojshme për sistemet e ajrit të kondicionuar në vend përfaqëson 70 për qind të konsumit total.

Vitin e kaluar në COP27, 315 avionë privatë arritën në Sharm el-Sheikh. Këtë vit vlera mund të dyfishohet.

Kësaj duhen shtuar edhe fluturimet shtetërore: në Angli fluturimet e veçanta të kryeministrit Sunak, ish-kryeministrit Cameron dhe mbretit Charles III kanë gjeneruar polemika të forta nga ambientalistët.

Dy javë më parë, ekonomisti francez Thomas Piketty tha në një intervistë se “për të shpëtuar veten nga kriza klimatike, le të eliminojmë avionët privatë”.

Jo sepse ato ndotin në terma absolutë, ose sepse ekonomisti dëshiron të përkrahë teori të thjeshtuara populiste, por sepse ato përfaqësojnë në mënyrë të përsosur konceptin e pabarazisë së karbonit: të pasurit gjenerojnë shumë më tepër emetime për frymë sesa ata me të ardhura më të ulëta ose nga vendet në zhvillim.

Sipas llogaritjeve të organizatës jofitimprurëse Oxfam, 1 përqindëshi më i pasur i planetit ndot sa i përket emetimeve të dioksidit të karbonit sa dy të tretat e njerëzimit më të varfër.

Rreth 80 milionë njerëz kundrejt 5.3 miliardë njerëzve.

Polemikat rreth COP-it nuk ndalen këtu, përkundrazi.

Dje doli se 2 mijë e 456 lobistë të industrisë së karburanteve fosile u regjistruan për ngjarjen e Dubait.

Një shifër rekord, e siguruar nga një rrjet prej 450 shoqatash mjedisore që analizuan listën me mbi 80 mijë akreditime. Vetëm dy delegacione janë më të mëdha: ai i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ai i Brazilit.

Lajmi konfirmon kontradiktat e negociatave: kërkohen zgjidhje për të kufizuar efektet e djegies së lëndëve djegëse fosile, por në të njëjtën kohë nuk u njihet përgjegjësia reale.

“Eliminimi i tyre do të na kthente në shpella”, tha presidenti i COP28 Al Jaber të dielën.

Sipas Emirateve, ato shërbejnë për të gjeneruar pasuri dhe teknologji për të zgjidhur problemin. Aq sa dje negociatat u fokusuan te teknologjitë për largimin e dioksidit të karbonit nga ajri, të dëshiruara dhe të mbështetura nga shtetet arabe dhe nga SHBA-të.

Një synim është arritja e 1.2 miliardë tonëve të absorbuar në vit deri në vitin 2030, një vlerë 25 herë më e lartë se ajo aktuale. Sot ne emetojmë rreth 40 miliardë ton në vit.

Por Faith Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, e zbut entuziazmin: këto teknologji do të jenë të dobishme, por të besosh se ato do të na shmangin në rrugën e dekarbonizimit është fantazi e pastër.

Universiteti i Oxfordit e ka shpjeguar edhe më mirë.

Sipas një raporti të ri, një varësi e fortë nga këto teknologji për të arritur objektivat e emetimeve zero rreth vitit 2050 do të ishte ekonomikisht e dëmshme, me një kosto të paktën 30 trilion dollarë më të lartë se një rrugë e bazuar në energjinë e rinovueshme.

Për të kuptuar më mirë përmasat, shifra prej 30 trilion dollarësh është rreth dyfishi i asaj që Banka Botërore vlerëson se do të kushtonte për të dekarbonizuar Kinën.

Marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet deri në fundjavë. Por këto shifra tregojnë, edhe një herë, brishtësinë e negociatave.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore